Presidenti me pagë të përhershme, kryeparlamentari dhe kryeministri jo

Presidenti me pagë të përhershme, kryeparlamentari dhe kryeministri jo

Me projektligjin për pagat, përveç presidentit, nuk do të ketë zyrtarë të tjerë të lartë që do të marrin pagë të përjetshme.

Kjo pasi Komisioni për Administratë Publike ka kufizuar në 5 vjet afatin kohor përgjatë së cilit, kryeparlamentari, kryeministri dhe prokurorët do të marrin paga. Ndërsa koeficienti i pagave është zbritur nga 12 në 10.

Ky komision sot ka dërguar në Kuvend projektligjin për pagat, atë për zyrtarët publik si dhe projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe agjencive të pavarura, me një numër amendamentesh, të cilat anëtarët e këtij komisioni i votuan veç e veç.

Kryetetari i komisionit, Nait Hasani, tha ishte kërkesa e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që të ketë paga të përhershme me afat të kufizuar për disa pozita pas përfundimit të mandatit në pozitën përkatëse.

Hasani: Kryeparlamentari dhe kryeministri me paga të përhershme në afat prej 5 vitesh

“Një kërkesë është e kryetarit të Kuvendit që me qenë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, kryeprokurorin e shtetit, prokurorin, me qenë një pagë e përhershme pasi të kalojnë moshën 65 vjeçare… Me kufizim 5 vjet”, tha ai.

Gjatë shqyrtimit të amendamenteve, Hasani tha se të gjitha agjencive të cilat financohen nga shteti, përfshirë edhe RTK-në, duhet t’u përcaktohet niveli i pagave, të cilat nuk mund të kalojnë vlerën e pagës së presidentit të vendit.

Hasani: Pagat në RTK duhet të jenë 1:7, kur të vetëfinancohet le të vendosë vet

“Në të ardhmen ne kemi hartu projektligjin e ri, i cili kërkojmë që të jetë me vetëfinancim nga qytetarët. Nëse kalon ajo pjesë, atëherë ata bëhen vetëfinancues dhe ata dalin nga ky pozicion i ligjit. Atëherë ata përcaktojnë rregullat e veta për përcaktimin e pagave, por përderisa janë me këtë status na domosdo duhet t’i trajtojmë në këtë pozicion që 1:7 të kenë pagat e tyre… I kam taku dy herë grupin e tyre dhe bordin e sindikatës dhe u kam tregu se nuk ju përcaktojmë na juve që kush duhet me iu zgjedh juve, na vetëm ju themi se paga minimale dhe maksimale duhet të jetë 1:7”, u shpreh Hasani.

Deputetët patën dilema për përkufizimin e RTK-së si televizion shtetëror në kornizën e ligjit për buxhetit, teksa kishte edhe debat.

Deputetja Xhvahire Izmaku, tha se në këtë mënyrë komisioni ka thyer konceptin e shtetit për media të lira.

Izmaku: Kemi me u pa si komision që e thyen konceptin e shtetit të lirë dhe demokratik

“Ti po e përkufizon [RTK-në] televizion shtetëror kur e fut brenda kornizave të ligjit për buxhetin. Konsideroj se kemi me u pa si komision i cili e thyen edhe konceptin e shtetit të lirë dhe demokratik për media të lira… Na kena me dalë njerëz total të paditur”, tha ajo.

Kurse Rasim Selmanaj, tha se RTK-ja duhet të hiqet nga projektligji për pagat në sektorin publik.

Selmanaj: Le të hiqet RTK nga projektligji për paga

“Le të hiqet prej këtu sepse nuk e ka vendin RTK me u trajtu me ligjin e pagave. Shërbyesve civil dhe ndërmarrjeve publike. Pse me lënë hapësirë me komentu që ne po dojmë me e humb pavarësinë”, u shpreh ai.

Në votimin e këtij projektligji 4 vota kanë qenë pro, 4 kundër dhe 2 abstenime. Përkundër kësaj, amendamenti ka shkuar në Kuvend pa përkrahjen e Komisionit.

Ndërsa sa i përket votimit të projektligjit për zyrtarët publik dhe atë për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe agjencive të pavarura, Valon Ramadani nga Vetëvendosje tha se kanë dhënë kontribut për të zvogëluar pabarazinë në mes të sektorit publik dhe privat, dhe pse nuk kanë arritur që këtë ta bëjnë tërësisht.