Presidenti Meta reagon pasi Berisha u shpall “non-grata” në SHBA

Presidenti Meta reagon pasi Berisha u shpall “non-grata” në SHBA

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për herë të parë pasi ish-kryeministri Sali Berisha u shpall person “i padëshiruar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Insajderi.

Sipas Metës, vendimi për të iu ndaluar hyrja në Amerikë Berishës dhe familjes së tij është “fletërrufe” e porositur “nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë”.

“Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, ka shkruar presidenti shqiptar.

Tutje, Meta ka publikuar edhe mesazhin e solidaritetit, që i ka dërguar Berishës dhe familjes së tij.

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!”, thuhet në mesazhin e Metës për Berishën./Insajderi.com