
Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se Ligji për Dialogun është antikushtetues. Thaçi thotë se askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.
Thaçi e ka falënderuar ekipin negociator të udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, që kanë qenë të gatshëm, ndërsa kërkon që bashkëpunimi për dialogun të vazhdojë nën korniza kushtetuese.
“Republika e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e përkushtuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit përmes dialogut dhe rrugës evropiane, me mbështetjen e SHBA-së dhe gjithë partnerëve tanë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë.
Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë. Kosova, shtet i pavarur dhe i integruar në BE, NATO dhe OKB, në paqe dhe me fqinjësi të mirë, është obligim i ynë për gjeneratat e reja, të cilat nuk duhet të rriten me urrejtje ndëretnike dhe me ngarkesa çfare kemi pasur ne.
E kemi fituar luftën dhe duhet ta fitojmë edhe paqen për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në shoqërinë tonë shumetnike. Si president i vendit, e vlerësoj shumë vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë individuale të kryesuesve të Ekipit Negociator, të cilët kur Kosova ka vluar nga debatet shterpe politike, kanë qenë në gjendje të dalin përtej tyre dhe të marrin përgjegjësi shtetërore.
Në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve, duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit! HTH”, ka shkruar Hashim Thaçi në Facebook./ Insajderi.com