Presidenti slloven hedh poshtë idenë për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor

Presidenti slloven hedh poshtë idenë për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka hedhur poshtë idenë, siç e ka quajtur ai të rrezikshme, për ndryshimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka shtuar se mbetet mbrojtës i një Bosnje e Hercegovine gjithëpërfshirëse, transmeton Insajderi.

Ai gjatë një konference për media, është shprehur se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me dokumentin që u publikua dhe se ai nuk kishte biseduar për këtë me kryeministrin, Janez Jansha, raporton 24ur.

“Unë mbroj tezën se do të ishte më mirë për BE të vendoste të përfshinte të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE”, citohet të ketë thënë Pahor.

Ai ka shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian po bëhet çështje kohe, jo vetëm i vullnetit politik.

“Ritmi i ngadaltë i zgjerimit po shkrin besimin në perspektivën evropiane në këto vende dhe pasojat mund të jenë forcimi i nacionalizmit dhe rritja e ndikimit të vendeve të treta”, ka theksuar ai.

Sipas tij, një proces paqësor i ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk është i mundur.

“Një proces më i shpejtë i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizatat Euro-Atlantike do të forconte parimin e integritetit territorial të vendeve dhe sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Evropës”, ka potencuar Pahor./Insajderi.com