Presidenti Thaçi dekreton kthimin e Vlora Çitakut nga Uashingtoni

Presidenti Thaçi dekreton kthimin e Vlora Çitakut nga Uashingtoni

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e bashkëpunëtores së tij për shumë vjet, Ambasadores në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, nga pozita e saj prej shefes së Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Uashington, njofton Insajderi.

Sipas këtij dekreti, Presidenti ka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në SHBA, më 2 tetor.

“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, thuhet në paragrafin e parë të dekretit.

Me qëllim të mbarëvajtjes së punës, Çitaku do të vazhdojë të ushtrojë këtë pozitë deri në emërimin e ri.

Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, do t’i ndërmerr veprimet e zbatimit të dekretit.

Pas pesë vjetëve shërbimi në Uashington, Vlora Citaku do të kthehet përfundimisht në Kosovë.

Kthimi i saj nisi me shkarkimin nga ish-kryediplomati Glauk Konjufca, që tashmë është nënshkruar nga Presidenti Thaçi. /Insajderi.com