Presidenti Thaçi flet pas shpërndarjes së Kuvendit – Tregon se kur do t’i shpall zgjedhjet

Presidenti Thaçi flet pas shpërndarjes së Kuvendit – Tregon se kur do t’i shpall zgjedhjet

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është deklaruar më në fund në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai një deklaratë sapo e ka bërë përmes rrjetit social Facebook, ani pse, kuvendi është shpërndarë qysh para kohës së drekës.

Thaçi ka thënë se shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

“Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri. Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.

Presidenti, po ashtu është shprehur se këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

“Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës. HTH”, ka përfunduar ai./ Insajderi.com