Presidentja kroate ia kujton Thaçit parimin e Badinterit për kufijtë

Presidentja kroate ia kujton Thaçit parimin e Badinterit për kufijtë

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka pasur një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit mediat kroate kanë bërë publike edhe deklaratën e presidentes kroate, sidomos në lidhje me temën e fundit për korrigjimin apo shkëmbimin e territoreve.

Kitaroviq sipas agjencisë së lajmeve në Kroaci, Hina ia ka rikujtuar Thaçit parimin e Badinterit sipas të cilit “kufijtë në Ish-Jugosllavi duhet të mbesin të gdhendur në gurë”, transmeton Insajderi.

“Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendura në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviq.

Kitaroviq gjithashtu është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Të dy janë zotuar për rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndryshe presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj po qëndrojnë në Nju Jork, ku po mbahet asambleja e OKB-së. /Inasjderi.com