Osmani takohet me Viola von Cramon, flasin për dialogun

Osmani takohet me  Viola von Cramon, flasin për dialogun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, shkruan Insajderi.

Në një komunikatë të dërguar për media thuhet së Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, derisa theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës.

Sipas saj, institucionet e reja në vend janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Agjendës së Gjelbër. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve.

Më tej, thuhet së në takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, me ç‘rast Presidentja Osmani theksoi se ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e saj dhe se  marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën Evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin tonë ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, është shkruar në komunikatë./Insajderi.com