Presidentja Osmani uron kadetët e FSK-së që diplomuan në Britani

Presidentja Osmani uron kadetët e FSK-së që diplomuan në Britani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar dy kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që diplomuan të premten e 9 prillit, në Akademinë Ushtarake në Britaninë e  Madhe, duke thënë se emri i Republikës së Kosovës u lartësua edhe më shumë, njofton Insajderi.

Sipas saj, ata po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë.

“Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo tutje ka shtuar se kjo është dëshmi e përformancës superiore në të gjitha fushat, përfshirë rezultatet akademike, shkathtësitë ushtarake, shkathësitë në lidership, përgatitje fizike, etj.

“Vajzat e djemtë e Forcës tashmë janë të dëshmuar në çdo cep ku shkel këmba e tyre. Ata janë premtimi ynë më i madh për një të ardhme të sigurt. Ata janë një nga shembujt më të mirë, të cilët duhen ndjekur për të kuptuar që në jetë mundi e puna vlerësohen e shpërblehen gjithmonë”. /Insajderi.com