Prestreshi tregon çmimet për t’u testuar për COVID-19 në laboratorët e licensuar

Prestreshi tregon çmimet për t’u testuar për COVID-19 në laboratorët e licensuar

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka bërë të ditur çmimet për bërjen e testit në 90 laboratorët privatë që kryejnë testime serologjike për COVID-19, e që janë licensuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai ka treguar se disa nga laboratorët tashmë kanë filluar të kryejnë këto testime, por janë ende të tjerë laboratorë që nuk kanë nisur testimet.

“Komisioni i AKK është njoftuar se gjithsej 90 laboratorë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe gjithashtu janë marrë të gjitha të dhënat nga institucionet përkatëse e laboratorëve të licencuar për të pas një raport të saktë. Sipas të dhënave disa laboratorë kanë filluar punën e tyre dhe disa jo. Shumica që janë duke punuar janë duke i kryer testet serologjike. Kurse vetëm dy laboratorë janë duke kryer testin molekular”, tha Prestreshi.

Prestreshi në një konferencë për media ka treguar edhe për monitorimin që po iu bëhet laboratorëve privatë sa i përket çmimeve. Ai ka thënë se çmimet serologjike varijojnë nga 15 deri në 35 euro, ndërsa çmimi i testimeve molekulare varijonë nga 65 deri në 80 euro.

“Sipas analizave çmimet e shërbimeve molekulare dhe serologjike janë në nivel të konkurrueshmërisë, të ndryshme në qytet dhe regjionit. Qytetari është i informuar për çmimet dhe çmimet janë transparente dhe ka variete, qytetari ka mundësi që të bëjë përzgjedhjen sipas preferencave apo buxhetit familjar. Çmimet sociologjike varijojnë nga 15 euro deri më 35 euro, ndërsa për molekulare varijojnë 65 euro deri në 80 euro. Normalisht, në një ekonomi të tregut, caktimi i çmimit nga ndërmarrjet bazohet në kualitetin e shërbimit, koston e importit të produktit që kanë dhe në këtë mënyrë caktohet çmimi”, deklaroi Prestreshi. /Insajderi.com