Prezantohen masat e reja anti-COVID

Prezantohen masat e reja anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes virtuale të Qeverisë ka prezantuar masat e reja kundër COVID-19.

Nuk ka ndryshuar asgjë për sa i përket orës policore e cila do të jetë nga ora 22:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.

“Pas shumë diskutimeve është vendosur të vazhdojnë edhe dy javë të tjera, një pjesë do të shtohen ashtu siç kemi paralajmëruar në vendim”, ka thënë Vitia.

Gjithashtu, kumtoi edhe vendimin që procesi mësimor të shtyhet deri më 26 shtator – kjo me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Vitia foli edhe për regjistrimin e studentëve në konvikte, ku tha se duhet të kenë vërtetimin e vaksinës.

Por, këtë duhet ta kenë edhe punëtorët e sektorit publik – apo ta kenë një test negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.

Në institucionet publike do të punohet me stafin esencial.

Ministri i Shëndetësisë, po ashtu tha se këto masa mund të ndryshohen brenda dy javëve. /Insajderi.com

Masat e plota:

  • Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor, dhe të qëndrimit ditor, pezullohen deri më datë 26 shtator 2021.
  • Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.
  • Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucionet parashkollore dhe me dy prindër të punësuar, njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13-26 shtator 2021.
  • Studentët në mënyrë që t’ju mundësohet regjistrimi në konvikt, duhet të posedohet njërën nga dëshmitë e cekura: certifikata e vaksinimit, testi real time PCR apo testi serologjik.
  • Studentët në institucionet publike dhe universitare duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë e cekura, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
  • Në institucionet publike dhe private deri më datën 26 shtator 2021, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial ndërsa stafi joesencial obligohet të punojë nga shtëpia.
  • Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga 22:00 deri në ora 5.00.
  • Kurse nga 26 shtator klientët dhe stafi, në qendrat tregtare, qëndrat e thirrjeve apo Call Center dhe disa aktivitete të tjera që paraqesin rrezik të shtuar të paraqitjes së virusit, duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë e përmendura, që t’ju lejohet hyrja në këto hapësira.
  • Bibliotekat lejohet të punojnë duke shfrytëzuar vetëm 30% të kapacitetit të hapësirës së objektit ku përveç maskës dhe distancës fizike, të gjithëve do t’ju kërkohet njëra prej dëshmive të lartë cekura.