Prindërit e Astritit thonë se është e papranueshme një ekspertizë e re

Prindërit e Astritit thonë se është e papranueshme një ekspertizë e re

Babai i Astritit, Avni Dehari ka thënë se nuk mund të bëhet ekspertizë pas ekspertizës, për vdekjen e djalit të tyre. Ai shton se një raport është nxjerrë nga mjekësia ligjore dhe ata kanë nxjerrë fakte se vdekja nuk është shkaktuar nga Astriti por nga një person tjetër.

Sipas tij, raporti i ekspertëve të Zvicrës, ka treguar shkakun e vdekjes së Astritit.

“Ata e kanë konstatuar se kjo nuk është vetëvrasje por vrasje dhe kanë thënë se duhet të bëhen hetime të pavarura për mënyrën e vrasjes. Është e papranueshme një ekspertizë e re, nuk ka nevojë për një të tillë”, ka thënë ai në Interaktiv, shkruan Insajderi.

Sipas tij, njerëzit që kanë marrë pjesë në vrasjen e Astritit nuk duhet të jenë në pistën e hetimeve.

“Nuk mund të jenë pjesë e hetimeve ata që e kanë vrarë. Duhet të bëhet hetim i pavarur. Prokuroria Speciale mund ta marrë përsipër këtë rast por të shohim se çfarë po ofrojnë”, ka thënë ai.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari ka thënë se kur erdhi raporti nga Zvicra kanë shkuar në Prizren për ta marrë atë por se nuk ua kishin dhënë, duke u arsyetuar se është në Prishtinë.

“Sot kur shkuam na thanë se vetëm avokati mund të hyjë dhe familja jo, por se me insistimin e Gashit ne hymë. Aty ishin kryeprokurori i Prizrenit dhe unë i thash atij që ai duhet të dalë të deklarojë lidhur me raportin. Kryeprokurori na lexoi raportin ku edhe tha me një fjalë se ai nuk është vetëvra”, ka thënë ajo.

Dehari, ka thënë se gruaja e Vesel Makollit, personit i cili ishte në një dhomë me Astritin, ka thënë se ai ka ditur shumë për Astrit Deharin, dhe se sipas saj, halla e Makollit kishte thënë se policia i kanë thënë që të mos të flas asgjë sepse do të ia bëjnë më zi se Astritit./Insajderi.com