Prindërit i reagojnë SBASHK-ut: E paarsyeshme që në çdo vit shkollor të na përmenden grevat

Prindërit i reagojnë SBASHK-ut: E paarsyeshme që në çdo vit shkollor të na përmenden grevat

Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës kanë reaguar ndaj deklaratave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës, të cilët kanë thënë se mund të shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë nëse nuk u bëhet pagesa shtesë, njofton Insajderi.

Këshilli thotë se e ka analizuar këtë deklaratë të SBASHK-ut me të cilën kërcënojnë me mosfillimin e mësimit nëse nuk bëhet pagesë shtesë (prej 100 euro në muaj) për mësimdhënësit sikurse për stafin e shëndetësisë dhe policisë.

Ata e kanë quajtur të paarsyeshme që në çdo vit shkollor të përmenden grevat, ndërsa shtojnë se kjo po bëhet për përfitim material nga mësimdhënësit.

“Si prindër, besojmë se kemi të drejtë të bëjmë një gjykim të këtyre deklarimeve të vazhdueshme që nuk tingëllojnë aspak arsyeshëm, që në çdo vit shkollor na përmenden grevat për të vetmin qëllim: përfitimin material të mësimdhënësve. Jo, kontributi i mësimdhënësve (i disa dekadave) nuk mund të kompensohet me para! Dinjiteti dhe respekti shoqëror qëndron në maje të vetëpërmbushjes individuale”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, ata vlerësojnë se “…deklarimi i SBASHK-ut nuk është as i qëlluar e as i duhur, si në formë e aq më pak në përmbajtje”.

“Shkollat nuk janë, dhe nuk mund të jenë, institucione arsimore ku gjithçka varet nga mësimdhënësi, e as nuk janë mësimdhënësit punëtor krahu. Që të kemi proces mësimor funksional patjetër duhet angazhim i të gjitha palëve, fakt të cilin e dinë shumë mirë mësimdhënësit. Andaj, përpjekja për t’i nxjerr vlerën monetare gjithçkaje, kur në fakt nuk është as e mundur as e synuar, e transformon kontributin e paçmuar të mësimdhënies në një pazar fruta-perimesh ku ‘dija dhe edukimi u shitkan me kilogramë”, thuhet në reagim./Insajderi.com

REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SBASHK

Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës e ka analizuar deklaratën e fundit të…

Posted by Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës on Thursday, January 7, 2021