Prishet koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së në Vushtrri

Prishet koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së në Vushtrri

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë prishur koalicionin në komunën e Vushtrrisë. Kjo për shkak se ketë të fundit nuk e kanë përkrahur të enjten Programin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i komunës që vjen nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili paralajmëroi se do t’i lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike që i përkasin VV-së.

“Vendimet e një partie politike nuk mund të ndikojnë në plane kapitale siç është Rimëkëmbja Ekonomike.

Natyrisht që sot do të lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë”, pohoi Tahiri për Express.

Sipas tij, arsyetimi i asamblistëve të VV-së, për të mos e votuar këtë program, ka qenë se është vendim i marrë nga Kryesia e Degës së VV’së në këtë komunë.

Xhafer Tahiri tregoi se plani i rimëkëmbjes ekonomike të Vushtrrisë ka tri masa – propozime themelore që duhet të aprovohen në Kuvend të Komunës dhe nga Qeveria e Kosovës.

“Moratorium 4 vjeçar për asfalt, rialokim i buxhetit në projekte për punësim e zhvillim sepse 687 nga 750 km rrugë, ose 91% e rrugëve lokale në Vushtrri janë të asfaltuara. Vetëm granti qeveritar do të përdoret për asfaltim të rrugëve.  25 % ulje të tatimit në pronë në 4 vitet e ardhshme për qytetarët dhe bizneset e Vushtrrisë. 0 tolerancë për mos paguesit e tatimit dhe taksave komunale.  Mbi 200 milion euro investime, publike dhe private në projektet vitale për transformimin e Vushtrrisë në 5 vitet e ardhshme”, ka njoftuar ai./Insajderi.com