Tirana dhe Athina zyrtare kanë shkëmbyer deklarata në nivele ministrore lidhur me prishjen e dy ndërtimeve në zonën bregdetare të Dhërmiut.
Pas reagimit të Ministrisë së Jashtme greke që i cilësonte prishjet si shkelje të të drejtave të pronarëve që i përkisnin minoritetit grek, ka reaguar Ministria shqiptare e Kulturës që ka pohuar se prishjet realizoheshin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë dhe veprimet ishin në përputhje me ligjin.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Shqipëri prishi këtë javë dy objekte ndërtimore në zonën bregdetare të Dhërmiut. Njëri nga objektetet ishte një godinë katër katëshe, hotel dhe objekti tjetër kishte funksion tregtar si bar-kafe buzë rrugës kombëtare që lidh Dhërmiun me Himarën.
Prishjet sollën një reagim të Ministrisë së Jashtme greke e cila deklaroi të mërkurën se objektet u përkasin pjesëtarëve të minoritetit grek dhe “ishin realizuar duke shkelur dispozitat e legjislacionit shqiptar dhe para se të shpallen vendimet gjyqësore të formës së prerë”.
Por Ministria shqiptare e Kulturës ka reaguar duke deklaruar se veprimet e ndërmarra nga organet ligjzbatuese shqiptare janë pjesë e një procesi të nisur që në prill të vitit 2016 për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë.
“Në asnjë rast dhe në asnjë hallkë të procesit, nuk ka pasur anashkalim, shkelje të dispozitave ligjore apo qasje selektive nga organet kompetente ligjzbatuese”, ka pohuar Ministria e Kulturës.
Ndërkohë Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka deklaruar se prishja e objekteve të tjera përgjatë zonës nga Dhërmiu në Himarë do të vazhdojë në periudhën në vijim, duke përfshirë lokale, apo objekte të tjera për të cilat pronarët janë njoftuar zyrtarisht.
Në janar të vitit 2016 qeveria shqiptare i shpalli zonat e vjetra të Vunoit, Himarës dhe Dhërmiut, qendra historike të cilat sipas ligjit shqiptar të trashëgimisë kulturore gëzojnë një status të ri mbrojtjeje./VOA