Prishtina dhe Kamenica, dy arenat e përplasjeve mes VV-së dhe PSD-së

Kurrkujt nuk do t’ia merrte mendja që drejtues të Vetëvendosjes dhe PSD-së, do të vinin në situatë që t’i bënin akuza më të rënda njëri-tjetrit sesa PDK-së. Por, situata aktuale vetëm po paralajmëron përshkallëzim të gjuhës dhe veprimeve. Prishtina dhe Kamenica janë dy arenat me të forta të përplasjes. Këto dy parti bashkëqeverisin në këto komuna, por nuk kanë koalicion në letër. Ofertat e PSD-së, po i refuzon VV-ja. Derisa në komuna kanë drejtori, në asamble po i bllokojnë projektet e PSD-së.

Prishtina dhe Kamenica, dy arenat e përplasjeve mes VV-së dhe PSD-së

Prishtina e Kamenica po shërbejnë si “arenë” përplasjesh dhe inatesh politike ndërmjet Vetëvendosjes se, Albin Kurtit dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

Eksponentë të këtyre partive nuk po e kursejnë njëri-tjetrin prej akuzave e ofendimeve, ani se një kohë të gjatë kanë qenë në një subjekt politik.

Kjo atmosferë po pengon edhe bashkëpunimin në dy komuna që udhëhiqen nga PSD– Prishtinë dhe Kamenicë. Për më shumë se shtatë muaj, në tavolinën e Vetëvendosjes është një ofertë nga PSD-ja për bashkëqeverisje në kryeqytet.

Megjithëse, drejtorët e VV-së po vazhdojnë të udhëheqësin disa dikastere në Prishtinë, kjo parti ende nuk është zyrtarisht në koalicion. Po refuzon t’i përgjigjet ofertës së Shpend Ahmetit, që e fitoi Prishtinën sa ishte në Vetëvendosjes.

Kjo nga zyrtarë të Partisë Socialdemokrate po cilësohet si “skizofreni politike”.

Asamblisti i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë për Gazetën Insajderi se Vetëvendosja në të njëjtën kohë po qeverisë, dhe gjithashtu po e akuzon dhe ofendon qeverinë e Shpend Ahmetit.

“Në Prishtinë, VV-ja po e luan një lojë shumë më të ulët edhe unë kam qejf me quajt njëfarë skizofrenie politike ku edhe janë në pushtet edhe në opozitë. Është rast i paprecedent as në Kosovë dhe as nuk e di që ka ndodhë ndonjë vend tjetër. Aktualisht VV-ja qe sa muaj e ka ofertën në tavolinë dhe nuk po thonë as po as jo”, ka thënë Nushi.

“Mendoj që kjo është keqmenaxhim i situatës, i një mirësie të kryetarit të Prishtinës dhe nuk është fer kjo që po e bëjnë”, ka thënë Nushi.

Sipas tij, ka gjasa që nëse vazhdohet me situatë të tillë të bllokohet puna e Asamblesë Komunale.

Sipas Nushit, deri tash asamblistët e Vetëvendosjes kanë votuar në disa raste, duke i përkrahur projektet e rëndësishme për qytetarët.

“Nëse ndodhin problemet e tilla bllokadat më të mundshme janë në Prishtinë, pasi ka më shumë përgjegjësi Kuvendi komunal. Edhe aktualisht kur po flasim nuk është që e kemi një shumicë formale në Prishtinë, po megjihtatë projektet spo bllokohen dhe asambleistët po votojnë, në fund të fundit po votojnë sipas interesit të qytetarëve”, tha tutje asamblisti i PSD-së.

Me këto akuza nuk po pajtohet asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.

Ai ka thënë për Gazetën Insajderi, se Vetëvendosja ka kërkuar nga Shpend Ahmeti drejtori më të rëndësishme për t’i qeverisur, që sipas Azemit PSD-ja nuk është e gatshme t’i japë.

Këtë kërkesë, Egzon Azemi e ndërlidh me premtimet që VV-ja i ka dhënë gjatë fushatës.

“Arsyeja pse nuk e kemi pranuar koalicioni është diçka krejt tjetër, për shkak se ne e kemi bërë një kërkesë edhe Shpendi e ka shpërfill, edhe nuk e ka plotësuar asnjë prej kërkesave tona. Kemi kërkuar disa drejtori më të rëndësishme që kemi premtuar gjatë fushatës se nëpërmjet tyre mund ta realizojmë 100 pikëshin, ndërsa drejtoritë që na ka jep Shpendi janë për administratë dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me programin që na e kemi prezantuar gjatë fushatës”, ka thënë Azemi.

“Unë besoj që shumë shpejt kemi marrë një vendim të rëndësishëm që a do të jemi pjesë e koalicionit, por qysh është t’u vazhdu qeverisja me skandale të ndryshme, jo”, ka thënë ai.

Azemi, ka akuzuar Shpend Ahmetin dhe asamblistët e PSD-së që po e pengojnë punën e drejtorëve të Vetëvendosjes.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me drejtorin e Vetëvendosjes në Prishtinë, Arben Vitia.

Ai ka lënë të nënkuptohet se deri më tani s’ka asgjë konkrete rreth koalicionit.

“Sapo të ketë diçka të re në këtë drejtim, do t’iu njoftojmë”, ka thënë shkurt Vitia.

Situatë e acaruar ndërmjet dy partive është edhe në Kamenicë. Madje në këtë komunë, Vetëvendosja po e shqyrton mundësinë e largimit nga koalicioni.

Këtë vendim mund ta marrë pas vendimit të kryetarit Qëndron Kastrati, për shkarkimin e drejtoreshës së Arsimit që ishte nga radhët e Vetëvendosjes.

Kryetari i Asamblesë në Kamenicë që vjen nga Vetëvendosja, Bajram Mavriqi ka akuzuar PSD-në se shkarkimi i drejtoreshës, ka ardhur pasi kryetari i komunës nuk po mund t’i rehatojë militantët e PSD-së.

Madje Mavriqi, Qëndron Kastratin, e ka cilësuar si “hajn politik”.

“Jemi në negociata të brendshme në VV në Kamenicë dhe jemi duke bërë një analizë të gjithë gjendjes. Dje kemi pas një mbledhje, edhe brenda dy tri ditëve do ta kemi një tjetër takim”, ka thënë ai. “Realisht pushtetin në Dardanë e ka fitu VV-ja. Na nuk kemi marrëveshje të shkruar me Qëndronin. Ai ka ikur prej neve, në një formë është një hajn politik sepse na ka mashtru, mirëpo në këtë situatë ka opinione të ndryshme. Ta shohim po vlerësojmë se si duhet të veprojmë”, ka thënë Mavriqi për Gazetën Insajderi.

Kryesuesi i asamblesë në Kamenicë, thotë se Qëndron Kastratin e kanë sjellë në pushtet pikërisht Vetëvendosja, pasi sipas tij Qendronin nuk e ka njohur askush.

Ai thotë se kryetari i Kamenicës është në eufori që nga hapja e selisë së PSD-së në këtë qytet.

“Tek e fundit ai është njeri fundit që duhet të ketë inate ndaj neve. Ai veç pak me mendu ne e kemi bo kryetar, deputetë kush se ka njoftë në Dardanë. Është e kundërta, ai duhet të jetë shumë mirënjohës dhe të jep përgjegjësi për mashtrimin që e ka bërë në Dardanë, që ne ende se dimë pse e ka bërë. Kjo është eufori”, deklaroi Bajram Mavriqi.

Por gjithë kjo situatë nuk po e shqetëson PSD-në e Kamenicës.

Nol Nushi që është shef i kabinetit të Qëndron Kastratit, ka thënë se Drejtoresha është shkarkuar për shkak të disa keqmenaxhimeve.

Ai ka thënë se VV-ja duhet të vendos për të ardhmen e saj në koalicion.

“E kemi një drejtoreshë të shkarkuar, dhe tashmë vendimi për të qëndruar apo jo në koalicion i takon partisë në fjalë”, ka thënë Nushi.

Përplasjet ndërmjet VV-së dhe PSD-së kanë vazhduar edhe në nivelin qendror.

Frashër Krasniqi e Dardan Molliqaj nga PSD, janë përfshirë në debate të ashpra me Liburn Aliun, Rexhep Selimin e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes. /Insajderi.com