Prishtina fillon subvencionimin e personave që u infektuan me COVID-19

Prishtina fillon subvencionimin e personave që u infektuan me COVID-19

Komuna e Prishtinës gjatë kësaj jave do të bëjë ndarjen e subvencioneve me shumën prej 50 euro për personat nën moshën 65 vjeçare dhe nga 100 euro për pensionistët.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, i cili thotë se brenda javës së parë të shkurtit këto mjete financiare do të shpërndahen për gjithsej shtatë mijë e 930 persona, të cilët kanë aplikuar për të marrë këtë shumë.

Nushi tutje njofton se 95 për qind e qytetarëve të infektuar me COVID-19, kanë aplikuar për t’u subvencionuar, një numër i madh prej të cilëve janë edhe mbi moshën 65 vjeçare.

“Deri më tani pagesat ne i kemi filluar që në dhjetor të vitit 2020 dhe janë paguar gjithsej 437 qytetarë në vlerë totale prej 19 mijë e 350 eurove”, ka treguar Nushi.

“Pagesat vazhdojnë, do të vazhdojnë gjatë tërë vitit sikurse edhe aplikacionet dhe tashmë e kemi dorëzuar në Thesar listën prej shtatë mijë e 930 qytetarëve të cilët si shumë që do të ekzekutohet këtë javë, në total e kap vlerën prej 447 mijë e 750 eurove”.

“Në Komunën e Prishtinës, diku rreth 93 deri në 95% të qytetarëve të infektuar kanë aplikuar për subvencionime. Nëse e ndajë me strukturë 50 euro dhe 100 euro, atëherë i bie që 17 mijë e 145 qytetarë janë të grupmoshave nën 65 vjet, dhe dy mijë e 426 janë të grupmoshës mbi 65 vjet”, ka thënë ai.

Nushi më tej thotë se ‘lista’ nuk nënkupton të ndahen mjete për sasinë e testeve të kryera, por për numrin e infektimit, pra një person mund të marrë vetëm një vlerë prej 50 ose 100 eurove, varësisht prej moshës që ka.

Ndryshe prej Komunës së Prishtinës, ajo e Mitrovicës ende nuk ka nisur kryerjen e këtyre pagesave, të cilat u janë premtuar qytetarëve.

Asamblisti i kësaj komune nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, njofton se deri më tani mbi dy mijë persona kanë qenë të infektuar me COVID-19 në këtë komunë, por nuk bën të ditur numrin e aplikuesve për të marrë këto mjete të cilat obligohet Kuvendi Komunal t’i realizojë.

“Vendimi që është marrë në Kuvendin Komunal është obligativisht i realizushëm dhe si i tillë e detyron komunën të veprojë në bazë të tij. Të infektuar me COVID kanë qenë përmbi dy mijë pacientë deri tash. Kryerja e pagesave ende nuk ka filluar”, ka thënë Bislimi për redaksinë.

Se këto pagesa nuk janë shpërndarë në të gjitha komunat që janë shprehur të gatshme të ndihmojnë qytetarët e infektuar me këtë virus, e dëshmojnë edhe në Skenderaj.

Zyra për Informim e kësaj komune, në një përgjigje për Insajderi-n, thonë se deri më tani nuk ka pasur buxhet për t’i ekzekutuar këto pagesa, por tani do të fillojnë pasi që ka nisur rrjedha e parasë nga buxheti për vitin 2021.

“Që nga fillimi i zbatimit të vendimit për subvencionimin e personave të prekur nga Covid-19 me shumën prej 50 euro, deri me tani janë interesuar mbi 100 persona të cilët edhe kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara”, thonë tutje nga kjo komunë.

Ndryshe prej Mitrovicës dhe Skenderajt, nga një tjetër komunë që ka premtuar ndarjen e këtyre mjeteve, Kamenica, thonë se secili aplikacion është dërguar për pagesë në Thesarin e Shtetit, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

“Gjatë afatit të aplikimit janë paraqitur afër 400 persona si të infektuar, mirëpo disa prej tyre kanë pasur mungesë të dokumentacionit, dhe disa të tjerë nuk kanë plotësuar kriteret e aplikimit”, thonë nga kjo komunë.

“Po, për pagesë janë dërguar 355 persona të infektuar dhe familjarë të të vdekurve nga COVID-19, dhe pagesa veç se ka përfunduar për shumicën prej tyre. Ne si komunën i kemi procesuar të gjithë për pagesë”. /Insajderi.com