Prishtinë: Një grua dyshohet se u dhunua nga 5 persona dhe u detyrua të konsumojë substanca narkotike për 5 ditë

Prishtinë: Një grua dyshohet se u dhunua nga 5 persona dhe u detyrua të konsumojë substanca narkotike për 5 ditë

Një grua ka raportuar se është dhunuar nga pesë persona dhe është detyruar nga po të njëjtit të konsumojë substance narkotike për pesë ditë me radhë, njofton Insajderi.

Kështu bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, ku thuhet se viktima është paraqitur në stacionin e policisë dhe ka thënë se rasti ka ndodhur më datë 30 prill, kur ajo e kishte takuar të dyshuarin, i cili pa dëshirën e saj e ka dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë.

Tutje thuhet se aty i dyshuari bashkë me katër persona të tjerë dyshohet se e kanë dhunuar dhe e kanë detyruar viktimën të përdorë drogë deri më datë 5 maj.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është inicuar dhe është duke u hetuar.

“Prishtinë, 30.04.2021/05.05.2021.  Ankuesja femër kosovare është paraqitur në stacion të policisë dhe ka raportuar se më datë 30.04.2021 e kishte takuar të dyshuarin,  i cili pa dëshirën e saj e kishte dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë dhe së bashku me katër persona të tjerë meshkuj dyshohet se e kishte dhunuar dhe kishte detyruar të konsumonte substanca narkotike deri më datë 05.05.2021. Me urdhër të prokurorit kujdestar është inicuar rasti dhe është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Insajderi.com