Prishtinë: Policia intervenon me sprej për ta ndërprerë një aheng për 8 mars – arrestohen katër veta, përfshirë pronarin e lokalit (VIDEO)

Prishtinë: Policia intervenon me sprej për ta ndërprerë një aheng për 8 mars – arrestohen katër veta, përfshirë pronarin e lokalit (VIDEO)

Një mbrëmje e organizuar për 8 mars në një restorant në Prishtinë është ndërprerë me intervenim të policisë së Kosovës.

Një numër i madh i policisë kanë marrë pjesë në aksion për të ndalur ahengun dhe kanë arrestuar katër persona, përfshirë edhe pronarin e lokalit, që gjendet në lagjen ‘Pejton’, njofton Gazeta Online Insajderi.

Sipas dëshmitarëve të rastit, policia ka reaguar brutalisht, duke “rrahur disa persona, hedhur sprej syve dhe më pas kanë nxjerr edhe armët”.

“Ma ka nxjerr armën para syve”, ka thënë një kamerier i lokalit, me sy të skuqur ende nga sprej.

Sipas po të njëjtit, “në ahengun e organizuar po respektoheshin të gjitha rregullat, kishte distancë dhe nuk ishin më shumë se 50 veta”.

“Nuk ka kaluar as shtatë minuta pas orës 22:00 kur janë futur. Pronarin e kanë arrestuar dhe e kanë shtrirë për tokë, derisa të tjerëve na kanë terrorizuar”, ka thënë kamerieri që ka dashur të mbes anonim.

Edhe këngëtari që ishte aranzhuar për të kënduar në aheng, i prezantuar vetëm si Bujari, ka thënë se dhuna e policisë ishte e paarsyeshme.

Siç shihet nga kamerat e Insajderi.com, një numër i madh policës kanë marrë pjesë në intervenim. Ata kanë arrestuar disa persona dhe i kanë dërguar për në stacion policor.

Të pyetur në vendin e ngjarjes, nuk kanë dashur të përgjigjen, derisa më pas kanë penguar incizimin e rastit. /Insajderi.com