Pritet rritja e pagës minimale në Kosovë

Pritet rritja e pagës minimale në Kosovë

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kanë njoftuar se janë marrë vesh për heqjen e kriterit të moshës si përcaktues të pagës minimale.

Paga minimale në Kosovë për personat nën moshën 35 vjeç është 135 euro, ndërsa për ata mbi 35 vjeç është 170 euro.

Arifi tha se është e rëndësishme që neni i cili ndante punonjësit në dy grupe po hiqet.

Ndërsa Abrashi paralajmëroi se do ta përcjellë në Qeveri propozim-ndryshimin e udhëzimit në fjalë për ta larguar kategorizimin qe sipas tij është diskriminues, njofton Klan Kosova.

Në konferencë ata njoftuan edhe se janë duke diskutuar për rritjen e pagës minimale në tërësi, mirëpo nuk dhanë shifra, ndërsa njoftuan se kjo do të bëhet e ditur të mërkurën.

Ndërsa të pyetur nëse kjo është vetëm fushatë kur po flitet se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ata e mohuan këtë duke thënë se në këtë marrëveshje janë duke punuar qysh nga muaji janar.