Pritet të shkarkohet Rashit Qalaj

Pritet të shkarkohet Rashit Qalaj

Rashit Qalaj pritet të shkarkohet sot nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, sipas raportimeve të mediave.

Sipas burimeve të portalit Syri.net, Qalaj pritet të shkarkohet nga detyra me vendim të ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Insajderi ka tentuar të marrë një konfirmim nga u.d. i ministrit, mirëpo Sveçla ka qenë i paqasshëm në telefon.

Policia e Kosovës është përfshirë në disa skandale prej se drejtimin e këtij institucioni e ka marrë Rashit Qalaj, raporton Insajderi.

Gazeta Insajderi ka zbuluar rreth dy muaj më parë se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri.

Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.