Prizreni kryeqyteti i dytë i Kosovës? – reagimi i Shpend Ahmetit

Prizreni kryeqyteti i dytë i Kosovës? – reagimi i Shpend Ahmetit

Prishtina mund të mos jetë i vetmi kryeqytet i Kosovës, si kryeqytet i vendit mund të shtohet edhe Prizreni si kryeqytet historik.

Propozimi ka ardhur nga deputeti i PDK-së Nait Hasani, i cili vjen nga ky qytet. Shkurtimisht, përmes telefonit, ai ka thënë se shumë shtete i kanë “kryeqytetet historike”, andaj edhe Kosova duhet ta ketë të vetin.

Në ndryshimet e bëra më 10 prill, Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, nenit 4 i ka shtuar edhe pikën 2, e cila i jep këtë epitet qytetit Lidhjes Shqiptare të 1878-s.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për KTV-në ka thënë se në projektligj nuk thuhet që Kosovës t’i shtohet edhe një kryeqytet historik.

“Unë jam kryetar i komunës së Prishtinës, në Kushtetutën e Kosovës thuhet se duhet të ketë ligj për kryeqytetin, kryeqytet është Prishtinë dhe mua më intereson si kryetar i komunës të mbroj interesat e qytetarëve të Prishtinës që të kaloj ky ligj sa më parë me të gjitha ato çështje të cilat i kemi diskutuar në komision ka kaluar edhe versioni i fundit, në atë version nuk thotë se do të ketë edhe kryeqytet historik”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se kryeqyteti historik mund specifikohet në ndonjë ligj tjetër e jo në atë të kryeqytetit.

“Mendoj se kjo duhet të specifikohet tjetër kund jo në ligjin për kryeqytetin sepse ky ka të bëjë me kryeqytetin administrativ politik të Kosovës i cili është Prishtina. Në qoftë se deputetët mendojnë t’i jepet një emër qytetit të Prizrenit për shkak të karakterit historik e vendosin ata, mirëpo në këtë ligj nuk ka kurrfarë ndikimi e as ndonjë domethënie ligjore që ka pasoja ligjore për neve”, ka deklaruar Ahmeti.