Probleme me ligjin: 160 kandidatë nga 30 subjekte s’mund të garojnë në zgjedhje lokale

Probleme me ligjin: 160 kandidatë nga 30 subjekte s’mund të garojnë në zgjedhje lokale

Për shkak të problemeve me ligjin 160 kandidatë nga 30 subjekte politike nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ky “ndalim kandidimi” bëhet në bazë të Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.

Kësisoj, Elezi kërkoi nga subjektet politike që të zëvendësojnë kandidatët.

“Ajo që mund të konfirmojmë se nga këta 160 kandidatë të cilët janë në listën e KQZ-zë janë qoftë kandidatë për kryetar komunash apo për kuvende komunale dhe u takojnë së paku 30 subjekteve politike… Menjëherë pasi Zyra për regjistrim të partive politike ka pranuar përgjigjet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kjo zyrë ka njoftuar secilin subjekt veç e veç dhe varet prej tyre se sa shpejt mund të bëjnë përmirësimin e listës në këtë rast të dërgojnë mera të kandidatëve të rinj. Kjo është e paraparë që të zhvillohet deri më 25 gusht që subjektet politike që të bëjnë ndërrimin e emrave të kandidatëve”, ka thënë Elezi.

Po ashtu theksoi që sipas planifikimeve me planin operacional, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, ndërkaq KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim më së largu deri më 1 shtator.

“Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator”.

“Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”, ka thënë Elezi gjatë konferencës. /Insajderi.com