Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, këtë muaj është duke munguar ilaçi i insulinës për pacientët që janë të sëmurë nga diabeti. Me këtë ilaç ata duhet të furnizohen çdo muaj.
Pacienti Januz Dedinca, thotë se ne këtë ilaç të prekurit e marrin çdo muaj pa pagesë, në Barnatoren e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Dedinca, thotë se këtë muaj ende nuk janë furnizuar me ilaç. Ai thotë se insulinën është dashur ta marrin më 8 dhjetor. Ai tregon se personat të cilët punojnë në barnatoren e qendrës së mjekësisë familjare i thonë se shumë shpejt do të furnizohen me të.
Mungesën e këtij ilaçi e ka konfirmuar edhe doktori Bujar Lila, i cili është shef në repartin për sëmundjen e diabetit, në këtë qendër.
“Me këtë ilaç ne nuk jemi furnizuar ende, por këto ditë presim që të furnizohemi me të dhe ta ndajmë për pacientët të cilët kanë nevojë për të”, ka thënë Lila për Insajderin. Ai ka treguar se ky ilaç sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe furnizimi me të nuk varet nga institucioni ku ai punon.
“Këtë ilaç e siguron Ministria e Shëndetësisë çdo muaj, mirëpo deri më tani ende nuk jemi furnizuar me të dhe kjo nuk varet nga ne”, ka thënë Lila.
Ndërsa Dedinca tregon se të sëmurit nga diabeti, sidomos ata që janë të sëmur me tipin 1 të kësaj sëmundje, pa këtë ilaç mund të jetojnë vetëm 4 deri në 5 ditë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se nuk ka mungesë të insulinës dhe se janë në dijeni për mungesë të saj nëpër disa qendra, por që kjo shumë shpejt do të zgjidhet.
“Kjo do të kalohet shumë shpejt sepse departamenti i farmacisë është në dijeni, që në disa qendra janë vërejtur disa mungesa të shkurta, por që do të tejkalohen sepse ka insulinë”, ka thënë Hoti për Insajderin. Ai gjithashtu ka treguar se mungesa e këtij ilaçi është bërë për shkak të regjistrimit të depos së barnave.
“Kjo është shkaktuar për shkak se gjatë regjistrimit të depos së barnave nuk lejohet që të nxirren apo të hyn barnat, do të thotë regjistrohet gjendja faktike e depos, kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë Hoti.
Qeveria e Kosovës, nga buxheti i saj për vitin 2016, për sektorin e shëndetësisë ka ndarë vetëm 11 për qind apo rreth 170 milionë euro, nga 1 miliardë e 680 milionë, gjithsej. /Insajderi.com