Proces i qetë zgjedhor në komunat me shumicë serbe

Proces i qetë zgjedhor në komunat me shumicë serbe

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës janë duke u zhvilluar edhe në komunat me shumicë serbe në vend. Në Komunën e Graçanicës, pas hapjes së qendrës së votimit në shkollën “Mbreti Milutin”, qytetarët serbë me të drejtë vote ia kanë mësyrë vendvotimeve për të realizuar të drejtën e tyre të votimit.

Një numër qytetarësh të cilët tashmë kishin realizuar këtë të drejtë, thanë për Radion Evropa e Lirë se presin që pas zgjedhjeve të ketë më shumë paqe dhe liri të lëvizjes, si dhe punësim për të rinjtë.

Nevena Steviq, tha se pas zgjedhjeve pret një jetë më të mirë për qytetarët e komunitetit serb.

“Po, kam votuar. Po pres një jetë më të mirë dhe mbijetesë në vendit tim, punësim për të rinjtë dhe paqe në shtet”, tha Steviq.

Zhika Mirkoviq, tha se për serbët e Kosovës ështe e rëndësishme paqja, lëvizja e lirë dhe bashkëjetesa me komunitetet tjera, të cilat pret që pas zgjedhjeve të përmirësohen edhe më tej.

“Pres që të ketë paqe dhe liri, të lëvizim lirshëm dhe të jemi ashtu siç kemi qenë, e jo që ta kërcënojmë njëri tjetrin se do t’i përzëmë serbët ose që serbët do të sundojnë. Jo kështu, por të jemi ashtu siç kanë qenë minatorët dikur, të gjithë për një dhe një për të gjithë. Nuk kemi pasur problem asnjëherë”, tha Mirkoviq..

Pritje të ngjashme, për periudhën pas zgjedhjeve, ka edhe Slava Filipoviq.

“Kemi votuar për njeriun në të cilin kemi besim se duhet ta udhëheqë këtë popull në Kosovë. Presim diçka me të mirë. Deri më tash asnjëherë nuk ka qenë mirë. Por tash ta shohim se a do të jetë më mirë apo do të jetë më keq”, tha Filipoviq.

Procesi zgjedhor në Graçanicë, deri më tash, është zhvilluar i qetë.

Të qetë e ka vlerësuar zhvillimin e procesit zgjedhor edhe në komunat veriore të Kosovës, Jan Braathu, shef i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).

“Po shpresoj që procesi do të vazhdojë kështu gjatë gjithë ditës në të gjitha qendrat e votimit në katër komunat veriore. Po ashtu, unë shpresoj që procesi i zgjedhjeve të shkojë i qetë në mbarë Kosovën”, theksoi Braathu.

Misioni i OSBE-së ka rreth 200 vëzhgues në katër komunat veriore të vendit, në të cilat janë hapur 44 vendvotime.

Disa qytetarë serbë të Komunës së Mitrovicës së veriut, të cilët nuk deshën të prezantohen, pasi që kishin votuar thanë se pritjet e tyre pas zgjedhjeve nuk janë të mëdha.

“Nuk pres diçka konkrete, përveç që ta kemi më mirë”, tha qytetari serb i Mitrovicës veriore.

Ngjashëm tha edhe një bashkëqytetare e tij.

“Presim të jetë më mirë, asgjë më shumë. Të paktën që fëmijët të jenë të qetë”, tha qytetarja serbe.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se procesi i votimit në katër komunat veriore të Kosovës deri më tash po zhvillohet i qetë.

Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për veriun e vendit, ka thënë se nuk është raportuar asnjë incident.

“Policia e Kosovës është në krye të detyrës në të katër komunat më veriore të Kosovës, në të gjitha qendrat e votimeve. Sa i përket informacioneve, që vijnë nga të gjitha qendrat e votimeve, nuk kemi asnjë telashe deri më tani. Sigurisht që do t’i përcjellim për së afërmi të gjitha ngjarjet dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjitha autoritetet tjera të përfshira në këtë proces zgjedhor”.

Sidoqoftë, në veri të Mitrovicës, sot është parë të jetë i pranishëm edhe Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të cilit kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës në disa raste ia kishte ndaluar hyrjen në Kosovë për shkak të disa deklaratave të bëra./REL