Prodhonte dhe shiste ilaç që pretendonte se shëron koronavirusin – arrestohet gjilanasi

Prodhonte dhe shiste ilaç që pretendonte se shëron koronavirusin – arrestohet gjilanasi

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme një person në Gjilan nën dyshimin se ka prodhuar dhe ka shpërndarë produkte të dëmshme mjekësor.

“Policia e Kosovës ka pranuar informatën se i dyshuari: K.A., viti i lindjes 1965, mashkull-kosovar, ka publikuar në rrjetin social facebook një shkrim ku kërkon vullnetarë që janë prekur nga virusi COVID 19, e të cilët dëshirojnë të përdorin një bari ‘me bazë bimore’, të cilin e prodhon veta ai, pa pasur licence për prodhim të një ilaçi të tillë”, thuhet në njoftim, përcjell Gazeta Insajderi.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit policor,  kanë njoftuar prokurorin kompetent, nga i njëjti është marrë autorizimi  për  veprime të nevojshme hetimore. Sot, më  15.04.2020, rreth orës 11.00, policia, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektorët Shëndetësorë ka kryer një kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit  janë gjetur dhe sekuestruar një sasi alkooli dhe mostra të barit.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prezencë të avokatit mbrojtës, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Insajderi.com