Profesioni – politikan

Gjithmonë në Kuvend do të ketë deputetë me profesion – politikanë. Do të ketë deputetë të përfshirë në krim që do të kenë nevojë për ndërhyrje politike për të shpëtuar prej burgut. Do të ketë Margarita Kadriu që kanë nevojë për një licencë terminali. Do të ketë biznesmen që kanë nevojë për një tender. Apo asi që thjesht kanë nevojë për shumë para.

Profesioni – politikan

Slavisha Petkoviq ia ka vjedhur shtetit të Kosovës nja 200 mijë euro. Kishte ndërtuar një shtëpi për vete me vlerë 95 mijë euro. Kishte rinovuar një restorant në Çagllavicë të quajtur “Tropikana” në vlerë të përafërt me shtëpinë. Krejt këtë e kishte bërë nga pozita e ministrit.

Përfitime të ngjashme kishte pasur edhe Branislav Gërbiq si dhe Nebojsha Vujoviq.

Petkoviq e Gërbiq kanë qenë ministra për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës. Vujoviq, ka qenë sekretar në këtë ministri dhe më vonë zëvendësministër i Shëndetësisë. Të tretë në bashkëpunim me biznesmenë shqiptarë kanë nënshkruar 209 kontrata fiktive për ndërtimin e shtëpive për serbët e kthyer.

Shtëpitë nuk ishin ndërtuar kurrë. Buxhetit të shtetit i ishin vjedhur mbi një milion euro.

Për këtë hajni ka pasur një proces gjyqësor dhe dënime me burgim. Hetimet ishin kryer nga ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh.

Në aktakuzën prej më shumë se 180 faqesh, prokurorja kishte renditur, pos fakteve, edhe të dhënat personale.

“Profesioni – politikan”, shkruante në të dhënat personale të Slavisha Petkoviqit.

Të shumtë janë ata njerëz me profesion politikan që mbajnë në dorë të ardhmen e këtij vendi, si Astrit Haraqija, Ukë Rugova, Azem Syla, Adem Grabovci etj.

Nën-profesion i politikanit është ndërmjetësimi, kontrabandimi i migrantëve, krimi i organizuar, korruptimi etj.

Këta dy politikanë tashmë po e kryejnë punën e vetë për të cilën janë të specializuar – ndërmjetësimi me qëllim përfitimi. Përfitimi më i prekshëm në këmbim të votës së Teuta Rugovës për Ramush Haradinajn – kryeministër, është shpëtimi nga një aktakuzë e rëndë e Prokurorisë kundër tyre.

Haraqija e di më së miri se si shpëtohet nga një aktakuzë. Ai arriti që me anë të Gjykatës së Apelit, e cila është krejtësisht në dorë të politikës, që aktakuza kundër tij për një dëm që iu shkaktua shtetit me rreth 250 mijë euro të mos dënohet.

Duke i parë afatet e parashkrimit të veprave penale, Gjykata e Apelit e riktheu në rigjykim aktakuzën kundër tij, Valton Beqirit, Armond Morinës e Nehat Fejzës. Kur aktakuza shkoi në shkallën e parë për rigjykim, vepra penale e kryer nga Haraqija tashmë ishte parashkruar. Ishin mbushur 11 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale e dënueshme me pesë vjet burgim.

Me këso metoda e ndikime Haraqija synon të shpëtojë edhe nga aktakuza që rëndon mbi të dhe Ukë Rugovën për shitje të vizave italiane.

Një kryeministër nga i cili frikësohet shumëkush, siç është Ramush Haradinaj, për këta dy politikanë do të ishte shpresë që të “shpëtonin” pastër nga një aktakuzë që mund t’i çojë në burg për dhjetë vjet të jetës së tyre.

Në rolin e sekserëve, këta dy politikanë kishin shkuar natën vonë në rezidencën e Behgjet Pacollit, tetë vjet më parë. Në këtë rol kishin kërkuar nga Pacolli rreth katër milionë euro në këmbim të dhënies përfundimtare të pronësisë së hotelit Grand në Prishtinë.

Në këtë rol, Haraqija e Rugova pritën në rezidencën e dikurshme të Ibrahim Rugovës, Ramush Haradinajn duke i bërë shërbim një politikani tjetër i cili nuk i ka votat për ta udhëhequr Qeverinë.

Gjithmonë në Kuvend do të ketë deputetë me profesion – politikan. Do të ketë deputetë të përfshirë në krim që do të kenë nevojë për ndërhyrje politike për të shpëtuar prej burgut. Do të ketë Margarita Kadriu që kanë nevojë për një licencë terminali. Do të ketë biznesmen që kanë nevojë për një tender. Apo asi që thjesht kanë nevojë për shumë para.

Të tillët do ta votojnë secilin kandidat për kryeministër që u garanton përfitim. Këtë gjë ua garanton Ramush Haradinaj, siç ua kishte garantuar Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Nën qeverisjen e tyre Margarita Kadriu e djemtë e Isa Mustafës morën licenca terminali.

I tillë është edhe Ramush Haradinaj që nuk zgjedh mjet as mënyrë për të fituar pushtet. Madje është gati që Qeverinë ta ndajë me Aleksandër Vuçiqin.

Sepse Haradinaj është politikan me profesion. Ky profesion atij ia “lejon” të sigurojë vota me anë premtimesh, shantazhesh, e favoresh të llojllojshme për ta realizuar ëndrrën shumëvjeçare kryeministrore.

Fati i Qeverisë së tij është në dorë sekserësh të tipit të Astrit Haraqisë, Ukë Rugovës e Adem Grabovcit.

Qeveria Haradinaj me gjasë do të votohet, por me vota deputetësh të cilët me profesion janë “politikanë”. Të tillë shtetit ia kanë vjedhur miliona euro. Të tillët do të vazhdojnë të vjedhin miliona tjerë./Insajderi.com