Profesoresha Berisha reagon ndaj Dekanatit të FE-së dhe e quan gënjeshtar Ethem Çekun

Profesoresha Berisha reagon ndaj Dekanatit të FE-së dhe e quan gënjeshtar Ethem Çekun

Profesoresha e lëndës MNjNM në Fakultetin e Edukimit, Valbona Berisha ka akuzuar Dekanatin e FE-së për keqpërdorim të faqes zyrtare të fakultetit për t’iu kundërvënë asaj, pas publikimit të kallëzimit penal që ajo ka ngritur kundër dekanit Ethem Çekut e rektorit Marjan Dema.

Në një reagim për media të enjtën, Dekanati i Fakultetit të Edukimit është shprehur se “e gjithë kjo zhurmë mediale nga prof. Berisha është për motive dhe inate personale.”

Mirëpo profesoresha Berisha i ka demantuar këto pohime të Dekanatit të Fakultetit të Edukimit, që udhëhiqet nga dekani Ethem Çeku. Ka thënë se nuk e urren asnjë zyrtar të FE-së, por se është kundër çdo shkeljeje të statutit dhe rregullores së Universitetit të Prishtinës.

“Me përulësi ju them të nderuar kolegë, se asnjë raport personal nuk më ka udhëhequr në kërkim të zbatimit të statutit dhe rregullit në fakultetit tonë; askënd nuk e kam urryer, as e urrej tani. Urrej dhe përbuzë vetëm aktet e shkeljeve të statutit, rregulloreve, marrëveshjeve zyrtare dhe normave njerëzore”, ka thënë profesoresha Valbona Berisha, në një komunikatë për media.

“Urrej vetëm udhëheqjen autarkike të fakultetit tonë, urrej vetëm kaosin administrativ që vije nga personat, nga të cilët kërkohet rregulli administrativ. Nuk kam motiv personal në angazhimin tim në mbrojtje të statutit dhe në mbrojtje të rregulloreve”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Valbona Berisha e ka quajtur gënjeshtër të kulluar deklarimin e dekanit Ethem Çeku, i cili i ka thënë Insajderit se “profesoresha Valbonë Berisha i ka braktisur studentët duke mos i mbajtur ushtrimet dhe ligjëratat”.

“Të gjitha orët me të cilat isha e ngarkuar zyrtarisht, janë mbajtur deri në një”, ka thënë Berisha.

Lidhur me diplomimin e dyshimtë të studentes A.R. në Fakultetin e Edukimit, për të cilën çështje profesoresha Berisha ka ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit, ajo ka fajësuar udhëheqësit e Fakultetit të Edukimit dhe të Universitetit të Prishtinës.

“Dekani, sekretari,  si dhe rektori dhe sekretari i përgjithshëm  nuk kanë denjuar që për asnjë çast të merren me shkeljet, apo të ndalin shkeljet. Për shembull, sikur të merrej çështja seriozisht në fillim, studentja A. R. tanimë do të diplomonte (në janar 2018) me faqe të bardhë dhe do të ishte harruar”, ka thënë Berisha.

Por, siç ka thënë profesoresha, “pikërisht metodat abuzive të dekanatit dhe rektoratit e kanë ‘vonuar’ studenten, se këta e ‘mbyllën’ këtë dosje me ‘rregullat’ e tyre”.

Insajderi raportoi të mërkurën për kallëzimin penal që profesoresha Valbona Berisha ngriti ndaj dekanit Ethem Çeku e rektorit Marjan Dema lidhur me diplomimin e dyshimtë të studentes A.R. në Fakultetin e Edukimit.

Insajderi ka publikuar kallëzimin penal që profesoresha Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndaj Çekut, Demës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Universitetit të Prishtinës. /Insajderi.com