Në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ka profesorë që angazhohen në kundërshtim me Rregulloren e brendshme për të ardhura personale në UP.
Kjo Rregullore përcakton qartë se personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në Universitet mund të angazhohen me mbi-normë deri në pesë (5) orë në javë, përjashtimisht në Fakultetin e Arteve, deri në katër (4) orë në javë.
Por në disa raste kjo mbi-normë është tejkaluar.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në 25 raste kontratat e profesorëve ishin me nga gjashtë orë mbi-normë, duke tejkaluar mbi-normën e lejuar.
“Nga 93 mostrat e testuara ne kemi vërejtur se në 25 raste, kontratat e profesorëve ishin me nga gjashtë (6) orë mbi normë, duke tejkaluar mbi-normën e lejuar”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit.
Madje ka profesorë që janë paguar edhe për orët të cilat nuk i kanë mbajtur.
“Në tetë (8) raste, edhe pse nuk është mbajtur norma e plotë e orëve dhe orëve mbi normë, pagesa është bërë e plotë sipas angazhimit-kontratës, edhe pse rregullorja e precizon që mos mbajtja e orëve duhet të penalizohet me heqje të pjesshme të pagës”, thuhet më tej në raportin e Auditimit.
Sipas raportit të Auditimit, angazhimi për mbi-normë më tepër sesa lejohet me rregullore mund të shkaktojë shpenzime të paplanifikuara, dhe kjo ndikon në menaxhimin jo të mirë të buxhetit si dhe ekzekutimin e pagesave potencialisht të parregullta.
“Në dëmtimin e buxhetit ndikon edhe kompensimi për orët e pa mbajtura nga profesorët”, thuhet më tej aty.
Auditori i rekomandon rektorit të UP-së se duhet të sigurohet që vendimet e Senatit për angazhimin e stafit akademik për orë mbi-normë të jenë në harmoni me dispozitat e aplikueshme të rregulloreve përkatëse.
Po ashtu, thotë Auditori, rektori duhet të sigurojë që për orët e pa mbajtura nga stafi akademik të zbatohen penalet, në mënyrë që pagesat të reflektojnë vetëm shërbimet e pranuara./Insajderi.com