Profesorët që u përdorën për akreditim të programeve mohojnë se janë pjesë e kolegjeve

Profesorët që u përdorën për akreditim të programeve mohojnë se janë pjesë e kolegjeve

Mashtrime të shumta ka identifikuar Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në mbledhjen e fundit të mbajtur më 22 shtator të këtij viti.

82 persona shtetas të huaj, me gradë akademike Doktor shkence (PhD), të cilët ishin paraqitur në Kosovë si staf i rregullt akademik, janë identifikuar nga bordi i KSHC-së se kanë marrëdhënie të rregullt të punës edhe në shtetet e tyre të origjinës, shkruan sot “e diela me Koha Ditore”.

Bordi, po ashtu, ka tërhequr akreditimin për disa programe që kishin tentuar ta mashtronin agjencinë me profesorë që nuk ushtrojnë aktivitetin në Kosovë, duke ua ka pamundësuar 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria dhe vendet e tjera) të shfrytëzojnë edhe më tej gradën e tyre akademike për interesa të institucioneve të arsimit të lartë.

Emrat e tyre janë përdorur vetëm për qëllime akreditimi, madje disa nga ta kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë dhe as që janë angazhuar ndonjëherë në këto kolegje.

Albana Gjoni emri i së cilës ishte përdorur nga kolegji privat “Iliria”, e mohon se ajo ka mbajtur ndonjëherë mësim në Kosovë.

Në arsyetimin që ajo i ka aplikuar për mësim si pedagoge në këtë kolegj, por aty kishin kërkuar nostrifikimin e diplomës dhe se atë asnjëherë nuk e kanë angazhuar në mësim.

I njëjti kolegj e ka paraqitur emrin e Edlira Martirit nga Shqipëria si staf mësimdhënës të tij, e cila njëkohësisht ishte e angazhuar në një universitet në Tiranë.

“Unë nuk kam dhënë kurrë mësim në Kosovë. Jam e sigurt që ka një ngatërresë. Ju lutem komunikoni sërish me rektorin e Universitetit të Tiranës”, thuhet në shkresën e Martirit që i ka bërë AKA-së.

Por ky nuk është i vetmi kolegj  që ishte munduar ta mashtronte AKA-në, duke përdorur emrat e profesorëve të shteteve të rajonit.

Enis Jakup  i kishte shkruar AKA-së më 1 shtator të këtij viti se asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar me orar të plotë në Kolegjin UBT.

“Në UBT kam qenë i angazhuar vitin e kaluar akademik 2016/2017 në master/semestri i parë në lëndën “Strukturat konstruktive hapësinore”. Ligjëratat i kam mbajtur në module dhe atë në muajin qershor dhe një pjesë të korrikut. Asnjëherë s’kam qenë i angazhuar full-time”, ka thënë Jakupi.

Ndërkaq, Lulzim Kamberi, më 19 shtator i kishte shkruar agjencisë së ajo nuk ka qenë e angazhuar në KOLEGJIN Univerum me orar të plotë, por me vetëm gjysmë orari dhe se një herë në javë kishte gjashtë orë.

Këto kolegje private i kishin përdorur emrat e këtyre profesorëve të rajonit me qëllim të akreditimit të programeve të tyre.

Kjo për shkak se një nga kriteret kyç për dhënien e akreditimit për programet e institucioneve të arsimit të lartë është që po çdo program të studimit të ketë të paktën tre doktorë të shkencës të punësuar me orar.