Profesori dhe disa nxënës në Suharekë përleshen fizikisht

Profesori dhe disa nxënës në Suharekë përleshen fizikisht

Një nxënës ka pasur nevojë të marrë tretman mjekësor pasi është rrahur nga mësuesi i tij.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mohlan të Suharekës.

Drejtori i kësaj shkolle që mban emrin “Naum Veqilharxhi”, Ali Kabashi ka treguar në Kosova Direkt se në këtë rast kanë qenë të përfshirë tre nxënës dhe një mësimdhënës.

“Sipas informatave që posedojmë, ka ndodhur një përleshje mes mësimdhënësit dhe dy-tre nxënësve por njëri ka raportuar ngjarjen që ka ndodhur në shkollë”.

“Sipas raporteve, intervistimeve të Policisë, del se nxënësit pretendojnë se janë sulmuar fizikisht brutalisht derisa mësimdhënësi deklaron të kundërtën”.

Kabashi ka thënë se edhe nxënësit e tjerë, që kanë qenë dëshmitar të kësaj ngjarje deklarojnë se është përdorur dhunë nga ana e mësimdhënësit.

“Ka pasur një përleshje mes mësimdhënësit dhe nxënësve por jo e kësaj përmase kaq të madhe”.

“Nuk kam parë shenja të dhunës, kam biseduar me nxënësit, shenjat e dhunës nuk duken në fytyrë ose trup, por sipas prindërve, ka pasur shenja të dhunës”.

Ai ka deklaruar se janë në pritje të raportit të Policisë për të marrë masat e duhura sanksionuese ndaj mësimdhënësit.

Por ka treguar poashtu se kjo nuk është hera e parë që i njëjti mësimdhënës është përfshirë në një ngjarje të tillë.

“Mësimdhënsi është hera e dytë që përfshihet në një ngjarje të tillë dhe po me të njëjtin nxënës dhe prindërit janë revoltuar sepse herën e parë, kemi insistuar që ngjarja të mos marrë përmasa të mëdha”.

“Drejtoria e shkollës dhe Drejtoria e Arsimit dhe në bashkëpunim me prindin jemi marrë vesh që kjo punë të mbyllet por ka ndodhur prapë. Çështja është jo që nuk merren masat por kjo punë është ndalur, me bashkëpunimin e prindit”.

Kabashi ka treguar poashtu se në shkollën që ai drejton nuk ndodhin raste të ngjashme, ose janë të përmasave shumë më të vogla./KlanKosova