Profesori Easton para studentëve të UP-së: Kujdes nga lajmet në rrjetet sociale

Profesori Easton para studentëve të UP-së: Kujdes nga lajmet në rrjetet sociale

Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar Javën Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin me ligjëraten e profesorit amerikan, Eric Easton.

Profesori Easton, që mban titullin e Profesorit Emeritus në Universitetin e Baltimore në SHBA foli para pjesëmarrësve në ligjëratën publike për Edukimin Medial.

Easton ndër të tjera potencoi nevojën që Edukimi Medial të shtrihet sa më shumë në shoqërinë kosovare, në mësimin formal por edhe atë joformal.

“Sot në rrjetet sociale mund të publikohen mesazhe edhe në qoftë se nuk i keni thënë ju. Atëherë bëni kujdes Rrjetet sociale sot shumë përdoren, ato janë të mira sa i përket komunikimit, por sa i përket lajmeve nuk mund të ju besohet shumë.”

Profesori Easton është mysafir i Departamentit të Gazetarisë si pjesë e programit Fulbright të Ambasadës Amerikane.

Departamenti i Gazetarisë i është bashkuar institucioneve të shumta në mbarë botën në organizimin e ngjarjeve të ndryshme për Javën Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin.