Profesori i Oksfordit: Kurti do të ketë presion për nisjen e dialogut

Profesori i Oksfordit: Kurti do të ketë presion për nisjen e dialogut

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Richard Caplan, është shprehur se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë, pa vendosur parakushte, njofton Insajderi.

Ai ka theksuar se nuk është shumë optimist për rezultatin që mund të prodhohet nga ky dialog, pasi sipas tij, Kurti ka ulur nivelin e pritjes pasi ka sugjeruar se nuk është realiste  të fokusohet në marrëveshje përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve.

Caplan ka folur edhe për insistimet e Kurtit në disa principe që duhet përmbushur në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndër të cilat është edhe kërkim falja nga Serbia dhe njohja e Kosovës.

“Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog”, ka thënë ai për REL-in.

Calan është shprehur se këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi sipas tij, ajo nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti.

Ai ka shtuar se ky është drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por “duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore”. /Insajderi.com