Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së është edhe zyrtarisht i ftuari i katërt nga Gjykata Speciale.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar nëpërmjet një postimi në facebook, avokati i tij, Arianit Koci.
“Me autorizimin e klientit tim z. Sami Lushtaku, ju njoftoj se z. Lushtaku ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Lushtaku do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”, ka shkruar në facebook Arianit Koci.
Sami Lushtaku për vite me radhë kishte qenë edhe kryetar i Skënderajt, kurse aktualisht është kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, shkruan Gazeta Insajderi.
Një mandat të tërë Sami Lushtaku pothuajse e ka kaluar në burg.
Ai ishte dënuar me 12 vite burgim në vitin 2015 nën akuzat për krime lufte.
Lushtaku ishte akuzuar për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjë për të cilën ai ishte dënuar me 12 vite burgim në vitin 2015.
Kurse Gjykata e Apelit më vonë e kishte liruar nga akuza për vrasjen e civilit, duke e dënuar me shtatë vite burgim për përgjegjësi hierarkike.
Lushtaku pothuajse një vit më herët ishte shpallur i pafajshëm, dhe ishte liruar nga këto akuza.
Për kohën e qëndruar në burg, Lushtaku aso kohe kishte kërkuar dëmshpërblim në vlerë 1.4 milionë euro.
Në kohën kur ishte votuar Gjykata Speciale, Lushtaku kishte lëshuar një letër nga burgu.
Kishte thënë se nuk merret me këtë gjykatë, por kishte kërkuar përgjegjësi nga ata që i kanë marrë votat.
“Publikisht lus të gjithë, posaçërisht deputetët dhe zyrtarët e PDK’së, që mos të manipulojnë me emrin tim. Se a do ta votojnë ose jo këto ndryshime, se a do ta miratojnë ose jo ketë ligj, kjo është një çështje ekskluzive e tyre. Ata duhet të vendosin, sipas bindjes së tyre të lirë. Nuk dëshiroj ta lidh assesi rastin tim, me një rast tjetër. Përfundimisht, personalisht nuk kam qëndrim për themelimin e kësaj gjykate. Tash e dy vite po merrem me rastin tim. Me gjykatën le të merren ata që i kanë marrë votat e qytetarëve”, kishte shkruar Sami Lushtaku.
Por veç kësaj, ish-kryetari i Skënderajt ka edhe dy procese tjera të hapura gjyqësore në Kosovë.
E para lidhet me KEK-un. Ky rast ka të bëjë me tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, vlera e të cilit ishte rreth gjashtë milionë euro.
Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kurse procesin e dytë gjyqësor, Lushtaku e ka për tentimin e ikjes nga burgu.
Aktakuza lidhet me arratisjen nga QKUK-ja të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit e Ismet Haxhës, tre të akuzuarve të Grupit Drenica në vitin 2014.
Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.
E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.
Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës.
Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.
Kujtojmë që veç Lushtakut, ftesë zyrtare nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe Rrustem Mustafa, Sokol Dobruna dhe Nazim Mehmeti. /Insajderi.coma