A mund ta imagjinoni një drejtor të Administratës Tatimore që vite më parë kapet nga Policia duke ngarë veturë të vjedhur? A mund ta imagjinoni një drejtor të ATK-së, që i ka keqpërdorur 288 mijë euro para të Ministrisë së Kulturës? A mund ta imagjinoni një drejtor të ATK-së që në pikë të natës shkon në shtëpinë e një biznesmeni dhe ia kërkon 3.6 milionë euro, si kundërvlerë për hotelin “Grand” në Prishtinë? Kësi drejtori mund ta ketë ATK-ja nëse zgjedhet, Astrit Haraqija.
Teuta Rugova, nuk ka asnjë vlerë politike. Ajo ka vlerë financiare. Por, as këtë nuk di ta peshojë ajo. E peshojnë të tjerët – vëllai i saj, Uka, Astrit Haraqija, Izet Beqiri e Dardan Gashi.
Votën e saj si deputete, këta sekserë e tregtojnë herë te LDK-ja e Isa Mustafës, herë të PDK-ja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e herë te AAK-ja e Ramush Haradinajt.
Teuta, prej vitesh është një thesar në duart e tyre të cilën e kanë shfrytëzuar, po e shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë për përfitime personale, grupore e materiale.
Për të përfituar fortë nga ky tregtim, radha i ka ardhur Astrit Haraqisë, politikanit të padijshëm por të mençëm siç e kishte cilësuar vetën ai.
Sekseri ia ka mësyr karriges së një prej institucioneve më të rëndësishme të mbajtjes në këmbë të shtetit, ATK-së. Po dëshiron të bëhet drejtor, ani se ka një proces të hapur gjyqësor për krim të organizuar.
“I plotësoj krejt kriteret për drejtor të ATK-së”, tha Astrit Haraqija kur u pyet nga Insajderi për konkurrimin për këtë pozitë.
“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef, tri e gjysmë ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë. I dënuar s’jam”, tha Haraqija.
Është e vërtetë se Astrit Haraqija nuk është dënuar, përveç nga Gjykata e Hagës, ndonëse në një shtet ligjor do të duhej qysh moti të ishte në burg. Për ato të bëra të zbuluara, e për ato që nuk i dimë.
E ku ka më lehtë për sekser si ai t’i shpëtojë drejtësisë, në një vend me sistem gjyqësor të kalbur, të kapur, e të korruptuar?
Me logjikën e tij, ai i plotëson kushtet për drejtor të ATK-së. Ndërkohë, kurrkush nuk mund të bëhet as nëpunës civil pa e dërguar një vërtetim që nuk është nën hetime. Haraqija, nga ana tjetër që i plotësuaka kushtet, ka një aktakuzë dhe është në proces gjyqësor si pjesë e një grupi kriminal prej 11 vetash në krye me Ukë Rugovën.
Por, ai ka të drejtë kur thotë se i plotëson kushtet. Sepse edhe nëse nuk do t’i plotësonte, ia plotësojnë të tjerët. Ata që i kanë thënë të konkurrojë. Atyre që u duhet në ATK për t’ua fshirë tatimet, për ta vjedhur shtetin.
Ku mund të gjendet person më i përshtatshëm se ai.
A mund ta imagjinojmë një drejtor të Administratës Tatimore që vite më parë kapet nga Policia duke ngarë veturë të vjedhur?
Astrit Haraqija, mund ta përmbushë këtë mozaik nëse arrin të bëhet drejtor.
Një veturë e vjedhur në Stokholm të Suedisë po kërkohej në gjithë botën nga Interpoli. Të gjitha të dhënat e saj ishin postuar në faqen e internetit të kësaj organizate policore ndërkombëtare, pjesë e të cilës po synon të bëhet Kosova këto ditë.
Vetura ishte vjedhur më 31 marsit 2000. Nuk po gjendej askund.
Kur pa pritur kjo veturë shfaqet në pikën kufitare të Vërmicës në tentativë për të hyrë në Shqipëri. Vetura e tipit “Jeep Grand Cherokee” po përdorej prej kohësh nga një zyrtar i Kosovës – Astrit Haraqija.
Haraqija, me këtë veturë të vjedhur në Suedi e me dokumente false ishte nisur drejt Shqipërisë më 24 shkurt 2003. Në atë kohë mbante pozitën e shefit ekzekutiv të Komunës së Gjakovës, kur në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte ndalur nga Policia e Kosovës.
Në kontrollin e dokumenteve ishte konstatuar se autorizimi për vozitje ishte i falsifikuar dhe se Policia kishte rënë në veturën që po kërkohej prej tri vjetësh nga Interpoli. Automjetin e kishte konfiskuar.
Haraqija, ishte gjykuar dhe shpallur fajtor si falsifikator i dokumentit zyrtar.
Xheladin Osmani, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren, e kishte shpallur fajtor Haraqinë për veprën penale të falsifikim dokumenti dhe kishte vendosur me urdhër ndëshkimor sipas kërkesës së Prokurorisë Publike Komunale të Prizrenit. Gjoba ishte modeste, megjithëkëtë konstatonte se Haraqija ishte falsifikator.
Sipas aktakuzës së vërtetuar në tërsi nga Gjykata, më datën 24 shkurt 2003, në pikëkalimin kufitar me Shqipërinë në Vermicë, derisa i akuzuari Haraqija kalonte kufirin me veturën “Jeep Grand Cherokee” me targa të regjistrimit 337 KS 837 ishte ndalur për kontroll nga Policia. Zyrtarëve policorë Haraqija u kishte paraqitur një dokument të falsifikuar duke e prezantuar si origjinal. Ai ishte një autorizim në emrin e tij i vërtetuar në Kuvendin Komunal të Gjakovës në emër të Naim Kastratit, nga Peja.
Për këtë vepër penale, Haraqija ishte gjobitur më 300 euro.
Dënimi ishte vërtetuar edhe nga Shkalla e Dytë e Gjykatës. Haraqija, ishte ankuar edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte konstatuar se vepra penale ishte parashkruar dhe nuk mund të ekzekutohej. Nuk kishte fije dyshimi se atë vepër e kishte kryer Haraqija.
“Meqenëse kanë kaluar katër vjet nga 24. 02. 2003 deri më 21. 09. 2007 për këtë arsye është bërë parashkrimi i absolut i veprës penale nga neni 90, paragrafi 1, nënparagrafi 6 lidhur me nenin 96 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës”, kishte konstatuar Gjykata Supreme.
Pra, në këtë sistem politik, falsifikatori i kapur me veturë të vjedhur mund të bëhet krejtësisht lehtë drejtor i ATK-së.
“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef, tri e gjysmë ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë. I dënuar s’jam”, tha Haraqija, kur u pyet nga Insajderi për konkurrimin për drejtor.
Pretendenti për drejtor të ATK-së, nuk u dënua as për kontributin e tij në një vjedhje të 288 mijë eurove të buxhetit të shtetit. Krejtë kjo për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë, që e zhagiti rastin deri në parashkrim, pra mbi 10 vjet.
Haraqija, ishte një nga katër përgjegjësitë për ndarjen e një fondi për prodhimin e dy filmave. Paratë ishte shpenzuar për gjithçka, vetëm për filma jo. Thuajse gjithë fondi i shtetit kishte shkuar për dreka, darka, hotele dhe blerje teknologjike. Bile, producenti Nehat Fejza kishte rregulluar edhe veturën e tij Mercedes. Për gjithë këto keqpërdorime që kapin vlerën 288 mijë euro, Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Armond Morina e Nehat Fejza ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinë.
Ajo e Apelit, u kujdes që pa asnjë bazë ta kthejë lëndën në rigjykim, duke e llogaritur me saktësi kohën kur arrin parashkrimin.
Kështu edhe ndodhi. Në mes të procedurës së dytë lënda u parashkrua. Astrit Haraqija, nuk e mori dënimin e merituar.
Me të drejtë ai sërish mund të thotë se i plotëson kushtet për drejtor të ATK-së, sepse nuk është i dënuar.
A mund ta imagjinoni një drejtor të ATK-së që në pikë të natës shkon në shtëpinë e një biznesmeni dhe ia kërkon 3.6 milionë euro, si kundërvlerë për hotelin “Grand” në Prishtinë?
Pretendenti për drejtor të ATK-së, Astrit Haraqija, i shoqëruar nga miku i tij, Ukë Rugova kishin shkuar natën vonë në vitin 2013 në shtëpinë e Behgjet Pacollit, në Hajvali.
Kishte qëlluar që të tre të kishin pozita të rëndësishme shtetërore: Pacolli – zëvendëskryeministër, Haraqija – zëvendësministër, Rugova – deputetë. Që të tre pjesë e një koalicioni qeveritar të drejtuar nga Hashim Thaçi.
Krimi dhe korrupsioni kishte arritur deri në atë nivel sa anëtarët e Qeverisë i vënin haraç njëri-tjetrit për rastin e privatizimit të hotelit “Grand”. Pacolli ishte aksionari kryesor në këtë hotel, por për shkak të mospërmbushjes së kushteve të privatizimit, hoteli po i merrej. Në krye të AKP-së ishte tashmë i ndjeri, Dino Asanaj, i cili vdiq si pasojë e 11 therjeve me thikë.
Zyrtarisht u konstatua se u vetëvra.
Atë kohë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi të cilëve u është marrë hoteli me vendim të Bordit të AKP-së kishin denoncuar në Polici Naser Osmanin, Astrit Haraqinë, Ukë Rugovën, Adelina Reçicën, Gazmend Abrashin dhe Burim Gashin se i kishin kërkuar para emër të të ndjerit, Dino Asanajt.
Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli kishte thënë se fillimisht i ishte ofruar deputeti i LDK-së, Naser Osmani i cili në atë kohë ishte anëtar i Bordit të AKP-së dhe kryetar i Komisionit për çështjen e “Grandit”. Pak kohë më vonë në shtëpi i kishin shkuar kolegu i tij në Qeveri, zëvendësministri i Financave, Astrit Haraqija dhe kryetari i Listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova.
Në këtë takim “urgjent” sipas Pacollit i kishin kërkuar tre milionë e 600 mijë euro “për të kryer punë” për “Grandin”.
“Këtë takim e di se është mbajtur më 25 prill 2012 dhe në atë orë të vonë dhe atë me insistimin e tij që duhet të takohet me mua pamarre parasysh kohën. Datën e di nga sms që e kam ende të ruajtur. Në orët e mesnatës tek unë në shtëpi kanë ardhur Astrit Haraqija dhe Ukë Rugova. Pasi që unë kisha shërbyeset e mia dhe më kanë prit derisa i kam përcjell mysafirët”, kishte deklaruar Pacolli.
“Me të filluar bisedën e kam pyetur Astritit se çfarë është në pyetje për këtë takim me nguti në këtë orë. M’u përgjigj se njerëzit janë duke pritur sonte që të kryhet puna e ‘Grandit’ por kërkohen që në mënyrë që ky problem të zgjidhet sonte atyre t’u paguhen tre milion e 600 mijë euro. Për këtë më ka thënë se është duke pritur njeriu që Astriti ti përgjigjet menjëherë sepse këto para e kanë potencuar se nuk janë për të personalisht”, kishte shpjeguar Pacolli.
Disa muaj hetime të Prokurorisë rezultuan pa sukses kundër Naser Osmanit, Astrit Haraqisë, Ukë Rugovës, Adelina Reçicës, Gazmend Abrashit dhe Burim Gashit në mungesë provash se kishin kryer vepër penale.
Naser Osmani dyshohej për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit ndërsa të tjerët për ushtrim të ndikimit, vepra këto që ndiqen sipas detyrës zyrtare.
Kështu, edhe për këtë rast, pretendenti për drejtor të ATK-së, doli i pafajshëm. Dhe, me logjikën e tij i plotëson kriteret sepse nuk është i dënuar.
Megjithatë, ka një procedurë të hapur gjyqësore. Hiç më pak se për krim të organizuar. Bashkë me mikun e tij, Ukë Rugova që është vëllai i deputetes, Teuta Rugova.
“M’ka thirrë EULEX-i edhe mu sot, ju qifsha nonën se m’kini qit, shpiuna, ho”, i thoshte Haraqija një shokut të tij në një bisedë telefonike të incizuar për rastin e vizave të Ukë Rugovës.
Gjatë periudhës së përgjimit të Haraqisë, hetuesit e EULEX-it kishin vërejtur se ai bisedonte shpesh me dëshmitarët e prokurorisë në rastin e vizave, kundër grupit të udhëhequr nga Ukë Rugova.
Madje, në një prej tyre bisedonte me një mik të tij për mundësinë e ndryshimit të deklaratës së një dëshmitari. Miku i Haraqisë i thotë nëpërmjet telefonit se i duhet bërë presion njërit prej shokëve që ta ndryshoj deklaratën e dhënë në EULEX, pasi që përmbajtja e saj mund ta dëmtojë Haraqinë.
Raportet e hetuesve të EULEX-it, të cilat i janë dorëzuar prokurorit Allan Cansick, tregojnë se Haraqija kishte biseduar katërmbëdhjetë herë më një dëshmitarë, ndërsa me një tjetër plot 74 herë.
Ani se është i akuzuar dhe në grup ka edhe një të kërkuar për trafikim ndërkombëtar të drogës – Izet Beqirin, Haraqija është i bindur se i plotëson kushtet për drejtor të ATK-së, sepse nuk është i dënuar.
Pretendenti për drejtor, megjithatë është edhe i dënuar. Ai ishte shpallur fajtor dhe dënuar me pesë muaj burgim nga Tribunali i Hagës – Gjykatë Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.
Ai bashkë me gazetarin Bajrush Morina, ish-këshilltar i tij, ishin gjetur fajtor për akuzat për frikësim dhe presion ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Pavarësisht sa është dënuar e sa herë është shpallur i pafajshëm, Astrit Haraqija, në krye të ATK-së, i duhet vetëm vetës, bizneseve të lidhura me ta, dhe qëllimit për të përfituar miliona euro nga bizneset tjera në formën që grupi i tij di të bëjë më së miri.
Haraqija e ka fuqinë për ta arritur edhe këtë. E ka një votë në Kuvendin e Kosovës të cilën e shesin aty ku u shitet më së shtrenjti. /Insajderi.com