Projekti për vila afër Liqenit të Badovcit, Komuna e Prishtinës publikon vendimet

Projekti për vila afër Liqenit të Badovcit, Komuna e Prishtinës publikon vendimet

Komuna e Prishtinës ka publikuar të martën vendimet që i ka marrë rreth lagjes së planifikuar për t’u ndërtuar afër liqenit të Badovcit.

Përmes një postimi në Facebook, Komuna thotë se këtë veprim po e bën me qëllim të mënjanimit të keqinterpretimeve të paqëllimshme dhe të qëllimshme.

Komuna thotë se në shtator të vitit 2017, pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Pjesa më e madhe është jashtë Zonës II të Liqenit.

Ndërkaq, në vitin 2018, Komuna thotë të ketë marrë Vendim Refuzues për Kushtet, për çka ka bashkangjitur edhe vendimin e protokolluar, për shkak të, siç thotë Komuna, “vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur”. Por thekson se “Kushtet Ndërtimore nuk janë Leje” mirëpo “janë kushtet për të aplikuar për leje”.

“Pala është ankuar në shkallën e dytë në ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marrë vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit (shih dokumentin më poshtë)”, thotë Komuna.

Tutje, Komuna e Prishtinës thotë se në shkurt të vitit 2019 ka lëshuar edhe një Vendim Refuzues për Kushtet Ndërtimore duke u bazuar më së shumti në vendimin e Qeverisë, të vitit 2013 për mbrojtën e ujërave. (shih dokumentin më poshtë)

Ndërkaq, pala, sipas Komunës së Prishtinës, është ankuar prapë në shkallën e dytë në Ministri.

“Ministria i ka dhënë të drejtë palës dhe ka obliguar komunën që për parcelat e caktuara të veprojë sipas PZHK-së dhe sa i përket vendimit të qeverisë së vitit 2013 të kërkojë pëlqimin mjedisor, sepse Zona II nuk është zonë e regjimit të rreptë dhe këto nuk janë objekte turistike apo të rrezikshme dhe se ministria e bën vlerësimin mjedisor kur të ketë aplikim nga pala”, deklaron Komuna e Prishtinës në postimin në Facebook. (shih dokumentin më poshtë)

Në sqarimin e publikuar nga Komuna e Prishtinës, thuhet më tej se në bazë të vendimit të shkallës së dytë, Komuna ka lëshuar kushtet “mirëpo duke potencuar sipas vendimit të Ministrisë në tre paragrafë se kushtet nuk vlejnë pa Pëlqimin Mjedisor nga Ministria si pjesë e vendimit të vitit 2013, dhe se pala nuk mund të aplikojë për leje pa siguruar pëlqimin paraprak apo lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

“Pra, pala nuk ka leje, kushtet nuk janë leje, dhe pala ende nuk ka aplikuar për leje e as pëlqim mjedisor në Ministri. Pa marr pëlqimin mjedisor nga Ministria, Kushtet Ndërtimore nuk vlejnë”, thekson Komuna e Prishtinës. (shih dokumentin më poshtë)

Komuna thotë se këtu bëhet fjalë për pronë private e cila në kohën kur është blerë ka qenë e paraparë për ndërtim me zhvillim të qëndrueshëm.

“Vetëm një pjesë e kësaj toke është në Zonën II ku nevojitet pëlqimi mjedisor nga Ministria. Pala sipas ligjit ka të drejtë të kërkojë të drejtat e veta që i takojnë sipas ligjit. Plani Zhvillimor Komunal është në fuqi që nga viti 2013”, deklaron Komuna.

Komuna më tej shton se e ka refuzuar dy herë vendimin për kushte në dy vite të ndryshme duke u bazuar në vendimin e qeverisë për mbrojtjen e ujërave. Ndërkaq, Ministria, si shkallë e dytë, dy herë pas vlerësimeve ligjore i ka dhënë të drejtë palës që në Zonën II nuk është regjimi i rreptë dhe Ministria vendos se a janë marr masat e duhura për mbrojtjen e liqenit.

“Edhe gjatë lëshimit të kushteve është potencuar që nuk mund të aplikohet për leje pa e marrë pëlqimin paraprak nga Ministria në bazë të vendimit të vitit 2013 për mbrojtjen e ujërave. Pra kushtet nuk janë të vlefshme pa këtë pëlqim. Sipas informatave tona kompania e cila ka prezantuar zgjidhjen ende nuk ka aplikuar në Ministri të Mjedisit për Vlerësim Mjedisor. Pra, mbrojtja është bërë sipas të gjitha normativave ligjore nga të gjitha institucionet”, ka potencuar Komuna e Prishtinës.

Sipas Komunës, debati është i mirëpritur “edhe pse me shumë keqinformime”.

“Prishtina furnizohet nga tre burime kryesore – Batllava, Ujmani e Badovci. Nga dy të parat më shumë se sa nga Badovci, por realisht vetëm Badovci është në Komunën e Prishtinës. Kemi larguar të gjitha ujërat e zeza nga Liqeni i Badovcit me projektin me shtetin e Çekisë, dhe po ashtu nuk kemi lejuar asnjë ndërtim pa leje as në Zonën I, as në Zonën II, e as në Zonën III që i takon me territor komunës së Prishtinës”, ka theksuar Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti.

Më tej, Komuna thotë se do të ishte mirë që e njëjta situatë të jetë edhe në liqenin e Batllavës ku thotë se ende ka ndërtime pa leje në të gjitha zonat, pa kurrfarë mbrojtje.

“Në Liqenin e Batllavës kemi edhe mjete motorike në ujë të cilat janë rreptësisht të ndaluara në liqene artificiale. Ka edhe objekte turistike, si restorante të cilat janë të ndërtuara pothuajse në ujë. Pra, edhe një herë, Prishtina merr më shumë ujë nga Batllava se nga Badovci”, thotë Komuna.

Ndërkaq, nga Ujmani, Komuna e Prishtinës thotë se i marrim rreth 700 litra në sekondë, që në kanal të hapur të gjatë mbi 30 km vijnë deri në fabrikën e ujit në Shkabaj.

“Edhe kjo nuk është në territorin e Prishtinës, prandaj nuk kemi informata për ndërtimet apo rrezikun potencial për ujin të cilin e përdorim në Prishtinë”, thuhet më tej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Thotë se nuk jemi as të parët e as të fundit që kemi burime të ujit që mbrohen nga rreziqet. “Si Komunë, në territorin tonë kemi ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar 24 orë ujë dhe po ashtu për ta mbrojtur liqenin nga rreziqet potenciale. Kemi zgjeruar peizazhin e mbrojtur të Gërmisë në 2000 hektarë që kap pjesën më të madhe të Badovcit në territorin e komunës. Zona II nuk është e regjimit të rreptë dhe pëlqimin e jep Ministria, edhe pse ne si Komunë kemi refuzuar edhe këtë (ndoshta edhe pa bazë ligjore)”, ka deklaruar më tej Komuna e Prishtinës.

Komuna në fund ka thënë se të ishte mirë që të ketë debate të tilla për të gjitha resurset ujore e ku ndoshta ka rrezik shumë më të madh se sa në Badoc.

“Tepër mirë që shoqëria jonë po vetëdijesohet për problemet dhe rreziqet ambientale, por shpresojmë të jemi konsistentë, të argumentuar dhe të bashkuar në mbrojtjen e ambientit”, ka përfunduar sqarimin e saj Komuna e Prishtinës.