Ministria e Drejtësisë pritet që në fillim të muajit nëntor ta përcjell drejt Qeverisë së Kosovës projektligjin për krijimin e Gjykatës Komerciale, njofton Insajderi.
Komuniteti i bizneseve në Kosovë themelimin e kësaj gjykate e vlerëson si shumë të rëndësishme për vendin, pasi ajo do të rriste efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, ka deklaruar se tashmë projektligji për Gjykatën Komerciale është në fazën finale dhe shpejt pritet të dorëzohet në Qeverinë e Kosovës për aprovim.
“Në kuadër të ministrisë së Drejtësisë kemi themeluar një grup punues të cilin e udhëheqë unë si zëvendësministër i Drejtësisë i cili ka shqyrtuar Projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale jemi në fazën finale të shqyrtimit të këtij projektligji brenda MD-së dhe jemi duke pranuar vërejtjet dhe sugjerime të ndryshme nga individ dhe organizata të ndryshme që kanë interes sa i përket këtij procesi. Do kemi vetëm edhe një shqyrtim bashkë sa i përket këtij projektligji me gjithë atë që kemi marr në formë të propozimeve nga organizata dhe besoj shumë shpejt brenda muajit nëntor ose thënë në mirë në pjesën e parë të muajit nëntor do i përcillet Qeverisë së Kosovës për aprovim”, tha Dushi për KP.
Dushi beson se kjo formë e këtij projektligji për Gjykatën Komceriale do gjejë mbështetjen e duhur edhe në Kuvendin e Kosovës.
Nga ana tjetër, kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, deklaroi për KosovaPress, se ekziston presioni nga ana e bizneseve që kjo gjykatë të hapet.
Ai thotë se mungesa e një gjykatë të tillë që trajton problemet ekonomike e ka dëmtuar klimën e të bërit biznes në vend, por edhe e ka penguar ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.
Për Krasniqin themelimi i Gjykatës Komerciale nënkupton siguri më të madhe për bizneset vendore por edhe ato të huaja.
“Është presioni i bizneseve që të hapet përsëri Gjykata Komerciale, për arsye se ka vonesa ekstreme të lëndëve me vite të tëra dhe si nevojë e saj sot klima e të bërit biznes është shumë e dobët dhe e pengon edhe ardhjen e investitorëve por edhe punën e bizneseve tona në Kosovë, për shkak të vonesave të mëdha në procedura….ne kemi kërkuar që përveç gjykatës të emërohen edhe gjykatës të mjaftueshëm që kanë mundësi t’i kryejnë procedurat më shpejt…në aspektin e sigurisë do rriste efikasitetin e institucioneve të Kosovës dhe institucionet do dilnin në pozitë më të mirë, por edhe në aspektin e bizneseve do e rriste edhe sigurinë e investimeve në Kosovë sepse mos ekzistimi është i kësaj është duke e zvogëluar sigurinë dhe rreziku është shumë më i madh tek ne si rezultat i vonesave dhe mos ekzekutimit të lëndëve nga ana e institucioneve të Kosovës ”, theksoi Krasniqi. /Insajderi.com