Projektligji për pagat nxjerr zyrtarët më të paguar të shtetit

Projektligji për pagat nxjerr zyrtarët më të paguar të shtetit

Presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri do të jenë zyrtarët më të paguar shtetërorë. Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë zyrtari më i paguar në vend sipas Projektligjit për pagat. Ai do të marrë pagë mujore 2 868 euro.

Pas shefit të shtetit, zyrtarët më të paguar shtetërorë do të jenë kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe ai i Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të marrin pagë mujore 2 390 euro.

Duke iu referuar këtij projektligji, paga e ministrave do të jetë 1 792 euro, po kaq edhe e deputetëve.

Kurse zëvendësministrat do ta kenë koeficientin gjashtë (6), që i bie se do të marrin pagë mujore 1 434 euro. Me koeficient 6 do të paguhen edhe kryetarët e komunave që kanë asamble komunale nga 41 deri në 31 asamblistë.

Me koeficient shtatë (7) do të paguhet komandat i FSK-së dhe kryetari i Prishtinës. Paga mujore e këtyre dy zyrtarëve shtetërorë do të jetë 1 673 euro, shrkuan Epoka e Re.

Me koeficient 5.50 apo 1 314 euro do të paguhen shefi i kabinetit në Kuvendin e Kosovës, në Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministrit. Me koeficient të njëjtë (5.50) do të paguhen edhe këshilltarët e lartë politikë në Kuvend, Presidencë dhe Zyrën e Kryeministrit.