Prokuroria e Shtetit reagon lidhur me artikullin se provimi i jurisprudencës i Lumezit ishte i manipuluar

Prokuroria e Shtetit reagon lidhur me artikullin se provimi i jurisprudencës i Lumezit ishte i manipuluar

Prokuroria e shtetit ka reaguar kundër “Betimi për Drejtësi” dhe “Koha net” lidhur me lajmin e emetuar në ditarin e orës 19:00 dhe 23:00, të datës 24 tetor 2017 në KTV, me titull “Provimi i Jurisprudencës i Lumezit i manipuluar”.

Ekipi i KohaVisionit bashkë me ekipin e “Betimi për Drejtësi” ka disa ditë që kanë hulumtuar nga afër dosjen e Lumezit në Arkivin e Kosovës.

Emri i Lumezit është shkruar në tri variante në tri dokumente të ndryshme. Ndërsa, nën efektin e dritës vërehet qartë se nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani.

Reagimi: 

Lidhur me lajmin e emetuar në ditarin e orës 19:00 dhe 23:00, të datës 24 tetor 2017 në KTV, me titull “Provimi i Jurisprudencës i Lumezit i manipuluar”, kërkoj nga KTV që ta publikoj këtë komunikatë me qëllim të informimit objektiv dhe të drejtë të opinionit publik.

Aleksandër Lumezi, provimin e jurisprudencës e ka dhënë para komisionit kompetent për dhënien e provimit të jurisprudencës të Kosovës me ç‘rast ka marrë edhe certifikatën për dhënien e këtij provimi më 25 prill 1991 me numër të protokollit, 02 nr.152-1-217/90, datë 06.05.1991.

Kjo certifikatë paraqet dokument zyrtar që shërben për të provuar faktin se provimin e jurisprudencës, Aleksander LUMEZI, e ka dhënë para komisionit kompetent dhe në kohën dhe vendin e cekur në këtë dokument. Certifikata është e pajisur me vulën adekuate dhe nënshkrimin e kryetarit të komisionit për dhënien e provimit në fjalë. Gjithashtu dhënia e provimit vërtetohet edhe nga libri origjinal për dhënien e provimit të jurisprudencës për vitet 1986-1992, i cili gjendet në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Ky prezumim i këtyre fakteve mund të rrëzohet vetëm me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Çdo kuazi, hulumtim i kujtdo qoftë nëpër arkiva me qëllime të ulëta, dashakeqëse dhe tendencioze të Enver Hasanit, dhe të përkrahësve të tij pikërisht në kohën kur ai u shpall zyrtarisht fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të caktuar, të kryer në kohën e ushtrimit të detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës, duan vetëm ta largojnë vëmendjen nga fakti dhe turpi skandaloz i veprimit të tij të falsifikimit të kontratës për përkthimin e librave universitar.

Përndryshe, është fakt notor se dosjen për dhënien e provimit të Jurisprudencës e ka përgatitur dhe dorëzuar në arkivë institucioni para të cilit kandidati e ka dhënë provimin, pa mundësinë e interferimit të kandidatit në fjalë, në këtë rast të Aleksander Lumezit.

Edhe vetë logjika e shëndosh tregon se interes për manipulimin me dosjen në arkiv qëndron, siç u tha, te personat të cilët duan të arrijnë qëllime të caktuara duke manipuluar opinionin publik.

Njëkohësisht konsideroj se me publikimin e kësaj komunikate, është ezauruar nga ana ime çdo debat tjetër rreth kësaj çështje.

Bashkëngjitur:

  1. Kopja e origjinalit të kopertinës që mbahet në Ministrinë e Drejtësisë ku gjenden dokumentacioni origjinal për vitet 1986 – 1992 e ku shihet edhe emri i Aleksandër Lumezit dhe ku nuk ka asnjë ndërhyrje të asnjë lloji;
  2. Faqja e fotokopjuar e librit si më lartë dhe e cila gjenden tek Ministria e Drejtësisë;
  3. Certifikata mbi dhënien e provimit të jurisprudencës, nr. 152-1-217/90 e datës 06.05.1991

 

KTV: Kryeprokurori Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës

Ndërkaq, mbrëmë Kohavision raportoi se dosja për dhënien e provimit të Jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, del të jetë e manipuluar.

“Emri i Lumezit është shkruar në tri variante në tri dokumente të ndryshme. Ndërsa, nën efektin e dritës vërehet qartë se nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani”, thuhet në raportimin e KTV-së, të realizuar bashkë me emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij raportimi, Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në këtë libër, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të dhënë nga Lumezi në prillin e vitit 1991.

KTV-ja raportoi se në këto tri dokumente emri i Lumezit është shënuar në tri forma të ndryshme.

Bazuar në këtë raportim, në dosje është me alfabet latin, në librin e paraqitjes së provimit mbiemri Lumezi është Llumezi, sipas alfabetit cirilik, derisa në librin amzë mbiemri është Ljumezi. Po ashtu, një detaj tjetër është ai se vetëm tek emri i kryeprokurorit mungon vendlindja, derisa prapa ngjyrës së bardhë vërehet qartë emri i qytetit “Deçan”, që është i shkruar në cirilikë.

KTV raportoi mbrëmë se nën efektin e dritës vërehet edhe emri Zymer Krasniqi dhe se në Arkivin e Shtetit nuk kanë asnjë procesverbal se si arritën libra aty dhe se cila është arsyeja që vetëm librat mbi dhënien e provimit të Jurisprudencës nuk janë origjinalë, por janë kopje.