Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, sot përmes një konference për media ka adresuar kritika ndaj Prokurorisë së Shtetit për dështimin e shumë aktakuzave të ngritura nga ana e saj.
Sipas Shalës, prokurorët nuk janë të njëjtë në fazën e hetimit, ngritjes së aktakuzës dhe mbrojtjes së të, prandaj edhe s`janë në gjendje të mbrojnë ato aktakuza që ngriten për rastet e korrupsionit.
Për shumë aktakuza të cilat po refuzohen nga gjykatat apo ato që përfundojnë me aktgjykime liruese Shala tha se duhet të mbahet përgjegjëse edhe prokuroria.
Përpara këtyre kritikave të kryetarit të Apelit, lidhur më këto cështje është zhvilluar një “luftë” mes Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor është zhvilluar.
Koordinatori Kombëtarë për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka deklaruar se prokurorëve po u hudhen aktakuzat vetëm kur bëhet fjalë për persona të cilët janë të profilit të lartë.
Madje, Fazliu përdori edhe statistika të gjyqtarëve individualë me arsyetimin se të njëjtit i hudhin shumicën e aktakuzave të korrupsionit, ndërsa marrin aktgjykime dënuese kur bëhet fjalë për vepra të tjera.
Por për këto deklarime të Fazliut, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD), Arianit Salihu, ka thënë se institucioni që ai drejton, nuk është i informuar për këto kritika të prokurorëve ndaj sistemit gjyqësor në vend.
Pas kritikave të sistemit prokuororial ndaj sistemit gjyqësor në Kosovë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kishte thirrur takim urgjent në të cilin ishte konstatuar se deklaratat e Prokurorit të Shtetit, përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejt në sistemin gjyqësor në vend.
Në mesin e deklaratave të krerëve të sistemit gjyqësor, pas mbledhjes së jashtëzakonshme, kanë qenë edhe ato për inicimin e masave disiplinore ndaj prokurorëve që publikisht komentojnë vendimet e gjyqësorit.
Por edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mbajtur më 30 maj të këtij viti, i ka bërë fajtore gjykatat që nuk po kalojnë aktakuzat që përfshijnë njerëz të rëndësishëm, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit.