Prokurori amerikan: Krime të tmerrshme janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës

Prokurori amerikan: Krime të tmerrshme janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës

Prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në vitin 1999 hetoi krimet kundër shqiptarëve si i dërguar i Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, deklaroi se krime të tmerrshme janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Williamson që drejtonte grupin hetues të ngritur nga Bashkimi Evropian për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, tha se mosndriçimi i pretendimeve për ato krime, lë re të zeza mbi rajonin.

Ai i bëri këto komente në një intervistë më të gjatë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës në të cilën komentoi mes tjerash punën e Gjykatës së Posaçme të Kosovës, me seli në Hagë e cila trajton pretendimet për përfshirjen e ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës.

Nga vitit 2011 deri në vitin 2014, zoti Williamson mori përsipër të hetojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty në vitin 2010, mbi bazë të të cilit edhe u themelua Gjykata e Posaçme në verën e vitit 2015.

Ai e vlerësoi të shkëlqyeshme punën e Dhomave të Specializuara, emri më të cilin njihet Gjykata e Posaçme.

“Nuk po i vënë veshin retorikës politike dhe po bëjnë punën e tyre. Është një përpjekje më e gjerë ndërkombëtare që, ndërsa isha atje, përfshiu hetues, prokurorë dhe analistë nga tetëmbëdhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Është një përpjekje shumëkombëshe për të gjetur të vërtetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ata bënë një punë të jashtëzakonshme. Është e vështirë të kthehesh tek krimet që kanë ndodhur më shumë se 20 vjet më pare; Provat zhduken ose vjetrohen, dëshmitarët sëmuren, disa e humbin kujtesën, disa po vdesin. Pra, sa më shumë kohë të kalojë, aq më e vështirë është të ndiqet çështja”, tha ai.

Aktualisht në Hagë ndodhen tetë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, gjashtë prej tëcilëve, të akuzuar për krime lufte, përfshirë udhëheqësit e saj më të lartë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Drejtues dhe pjesëtarë të kësaj ushtrie janë përballur edhe në të kaluarën me drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë dy ish komandantë të saj, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj që u shpallën të pafajshëm.

Themelimi i Gjykatës së Posaçme është përcjellë më shumë kritika në Kosovë ku thuhet se çështjet e krimeve të luftës janë trajtuar nga disa rrathë të drejtësisë ndërkombëtare.

Por, prokurori Williamson tha se “kishte shumë probleme në çështjet që përfshinin udhëheqësit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe unë e trajtova këtë çështje kur bëra një deklaratë paraprake mbi të gjeturat e Grupit Hetues në vitin 2014, se në rastet e trajtuara nga Gjykata për Krime Lufte në ish Jugosllavi, si dhe nga EULEX-I dhe UNMIK-u, kishte shumë raste frikësimi të dëshmitarëve dhe ndërhyrje politike nga zyrtarët kryesorë të qeverisë, të mbështetur nga shumë njerëz në media, që dëmtuan mundësinë e gjykimeve të drejta në këto raste”./Insajderi.com