fbpx

Prokurori thotë se qytetarët mund ta arsyetojnë”shëtitjen” përreth të vdekurit

Prokurori thotë se qytetarët mund ta arsyetojnë”shëtitjen” përreth të vdekurit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur sot hetimet për vdekjen e 63-vjeçarit shqiptar nga Maqedonia, i cili ishte parë i alivanosur përgjatë rrugës magjistrale Gjilan – Ferizaj të shtunën, përpara se të ndërronte jetë.

Rasti i 63-vjeçarit ishte inçizuar nga kamerat e një lokali pranë rrugës, teksa shihej i shtrirë në tokë – i alivanosur. E në video-inçizim dëshmohet se si asnjë kalimtar rasti nuk ishte ndalur ta ndihmonte të të ndjerin.

Insajderi ka kontaktuar me prokurorin e rastit, Agron Ukën, i cili ka dhënë detaje për çështjen në fjalë. Uka bëri të ditur se shtetasi i Maqedonisë vuante nga një sëmundje kardiake.

I pyetur se çfarë përgjegjësie kanë kalimtarët që nuk i ofruan ndihmë 63-vjeçarit, Agron Uka thotë se kalimtarët të cilët e kanë parë viktimën mund të japin arsyetime të ndryshme për mos ndaljen e tyre pranë personit që ndërroi jetë dje. Duke thënë se “këtë rast është vështirë për ta hetuar”.

“Kalimtarët me veturë nuk janë ndalur, një pjesë janë frikësuar, një veturë aty pari mundet me thonë se nuk e ka ditë, kam qenë për ngut, mundet me thonë që e kam parë vetëm një njeri të shtrirë, mundet me thonë që vetëm telash mundet me na sjell”, ka arsyetuar prokurori Uka injorimin e kalimtarëve të rastit, ndaj alivanosjes së 63-vjeçarit.

Mirëpo, Uka ka sqaruar rastet e tilla kur personat mund të mos i ofrojnë ndihmë të tjerëve, raporton Insajderi.

“Nëse e ka ndalur veturën edhe është afruar afër edhe ka vërejtur gjendjen e keqe shëndetësore… dhe si ka ofruar ndihmë, atëherë është krejt tjetër, por nëse ai ka ndërruar jetë shumë më herët, dhe kalimtarët kanë kaluar, atëherë ne nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Se ai vetëm ka ndërruar jetë”, ka thënë prokurori Uka për Insajderin.

Megjithatë në lidhje me rastin është marrë në pyetje një person, ka konfirmuar prokurori i rastit.

“Një djalosh i ri, në bazë të policisë, thotë se ka kaluar aty pari, pasi ka ndërruar jetë, por mosha e re e djaloshit e ka frikësuar, në momentin kur e ka pa ashtu është frikësuar edhe e ka ndal një kamion ku i ka tregu që një person është alivanosur,  edhe a bën që ta transportoj, por që ai i ka thënë se nuk mundem në këtë gjendje, edhe djaloshi në start ka thirrur policinë”, është shprehur Uka për Insajderin.

Uka ka treguar se “viktima ishte shtetas i Maqedonisë, dhe ishte i moshuar, ai ishte duke u kthyer nga tretmani mjekësor të cilin kishte shkuar në mëngjes që ta merrte”. /Insajderi.com