Prokurori Elez Blakaj u shkruan kolegëve letër lamtumire – tregon arsyet e dorëheqjes

Ish-prokurori Elez Blakaj, u ka shkruar kolegëve të tij një letër falënderimi, duke i njoftuar për arsyet e dhënies së dorëheqjes. Aty, tregon se nuk ka pasur kërcënime, por se karrierën do ta vazhdojë jashtë dhe brenda Kosovës, por jo më si pjesë e sistemit prokurorial. Insajderi sjell këtë letër e cila për herë të parë hedh dritë mbi vendimin e Blakajt për dorëheqje.

Prokurori Elez Blakaj u shkruan kolegëve letër lamtumire – tregon arsyet e dorëheqjes

Ish-prokurori Special, Elez Blakaj u ka dërguar kolegëve të tij të Prokurorisë një letër lamtumire me të cilën i ka falënderuar për bashkëpunimin dhe i ka njoftuar për të ardhmen e tij.

Insajderi e ka siguruar një kopjet të saj.

Blakaj, në këtë letër nuk ka përmendur kurrfarë kërcënimi dhe presioni, por ka treguar se tash e tutje karrierën e tij do ta vazhdojë kryesisht janë vendit. Në këtë letër me të cilën i është drejtuar në veçanti kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka treguar se më 11 korrik të këtij viti ka dorëzuar aktakuzën në rastin e veteranëve.

Blakaj, në këtë letër ka lënë të kuptohet se arsyet e dorëheqjes së tij kanë  të bëjnë me të ardhmen e tij, e jo me ndonjë kërcënim për jetën e tij dhe të familjes.

“I nderuar kryeprokuror Millaku, ju njoftoj se që nga data 13. 08. 2018  nuk do të jem pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilin fakt ju kam paralajmëruar para 5 javësh”, shkruan në hyrje të letrës në të cilën saktësohet se qysh para pesë javësh e kishte paralajmëruar largimin Prokuroria.

Blakaj, si prokuror Special, është zotuar se angazhimin e tij do ta vazhdojë në interes të vendit dhe drejtësisë.

“Të nderuar kolegë dhe kryeprokuror, për mua ka qenë një nderë i jashtëzakonshëm të ushtroj detyrën e prokurorit të shtetit dhe të jem pjesë e institucionit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës – Prokurorit të Shtetit, në veçanti këto vitet e fundit si pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pavarësisht sfidave të shumta”, ka shkruar Blakaj.

“Tani e tutje aktivitetin tim profesional do ta vazhdoj jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit, gjithmonë në interes të parimeve themelore për një sistem të drejtësisë me integritet”, vazhdon letra më tej!

Ai ka falënderuar kolegët për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, në veçanti për rastin e veteranëve.

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lartë ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe komplekse i quajtur si ‘Rasti i Veteranëve’, për të cilin rast nga 11 Korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell Kryeprokurorit Millaku”, shkruan Blakaj.

“Duke uruar që institucionet si Këshilli Prokurorial i Republikës së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit të kenë sukses në misionin e tyre, ju uroj shëndet dhe suksese në punë! Ju përshëndes dhe shumë shpejtë do shihemi!”, përfundon ai.

Blakaj, tashmë i larguar nga Prokuroria ende nuk ka dhënë përgjigje për publikun për arsyet e vërteta të dorëheqjes. Në letrën drejtuar kolegëve nuk tregon ndonjë kërcënim apo presion, pos faktit që karrierën do ta vazhdojë jashtë vendit sistemit prokurorial, duke përmendur edhe largimin nga Kosova. /Insajderi.com