Vetëm një raport i intervistimit të gruas së Oliver Ivanoviqit u është përcjellë autoriteteve kosovare nga ato serbe rreth hetimeve të vrasjes së ish-liderit të SDP-së. Ky ra" />

Prokurori Hoxha demanton ministren serbe pë rastin Ivanoviq

Prokurori Hoxha demanton ministren serbe pë rastin Ivanoviq

Vetëm një raport i intervistimit të gruas së Oliver Ivanoviqit u është përcjellë autoriteteve kosovare nga ato serbe rreth hetimeve të vrasjes së ish-liderit të SDP-së. Ky raport u është dërguar prokurorëve specialë të Kosovës para një muaji. Prokuri Sylë Hoxha ka demantuar Ministren serbe të Drejtësisë duke thënë se Serbia nuk i ka dërguar Kosovës të dhëna tjera rreth kësaj çështjeje, edhe pse pala kosovare ka bërë një kërkesë të tillë.

E veja e Oliver Ivanoviqit, Milena Bogdan, fillimisht ishte vetë e interesuar të japë dëshmi në Prokurorinë e Kosovës për vrasjen e bashkëshortit të saj Oliver Ivanoviq. Por, më vonë, ajo u shpërngul në Beograd, ku edhe u punësua në zyrën e kryeministres serbe dhe nuk erdhi në Kosovë për të dëshmuar.

Pavarësisht se Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë ftesë asaj që të japë intervistë rreth asaj se çka di për vrasjen e burrit të saj, Milena Bogdan, asnjëherë nuk ishte paraqitur në prokurorinë e Kosovës.

Madje ajo vetëm pas disa muajve pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ishte akomoduar në Qeverinë serbe, pranë zyrës së kryeministres serbe.

Por, zyrtarët e hetuesisë kosovare kanë kërkuar nga ana e prokurorisë serbe që ta kryejnë intervistimin e Milena Bogdanit. Prokurorët serbë para një muaji e kanë intervistuar tashmë zyrtaren serbe, të venë e Ivanoviqit.

Zyrtarët serbë për këtë çështje i kishin përcjellë një raport prokurorëve kosovarë para rreth një muaji.

Ndërkohë sot, Nela Kuburoviq nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Serbisë ka thënë se i kanë dërguar Prishtinës edhe një raport tjetër me dëshmitë e njerëzve të caktuar të cilat lidhen me këtë rast.

Por, në Prokurorinë Speciale po e mohojnë një gjë të tillë. Ata po deklarojnë se i vetmi raport që ata kanë marrë nga autoritetet serbe është ai i para një muaji.

Kështu ka thënë për Express prokurori special, Sylë Hoxha, i cili po merret me këtë rast.

“Ne mirëpresim çfarëdo informacioni nga ana e autoriteteve të Serbisë sa i përket kësaj çështjeje. Por ne nuk kemi marrë ndonjë informacion të bollshëm për këto hetime. Para një muaji ne kemi kërkuar nga ana e prokurorisë serbe që ta intervistojë gruan e Oliver Ivanoviqit. Ata e kanë intervistuar dhe na e kanë sjellë një raport me përgjigjet e pyetjeve që gruaja e tij i ka dhënë. Pyetjet ua kemi dërguar ne. Por nga përgjigjet që i ka dhënë ajo, ne nuk kemi marrë ndonjë të dhënë shtesë nga ajo”, ka deklaruar Hoxha për Express.

Tutje ai ka thënë se nga pala serbe kanë kërkuar biseda telefonike të regjistruara në telefonin e Ivanoviqit, por të njëjtat ende nuk i kanë marrë.

“Ne kemi kërkuar edhe të dhënat nga telefoni i të ndjerit, Ivanoviq. Por autoritetet serbe ende nuk na i kanë dhënë ato. Ne nuk kemi pasë qasje ngase e dimë se në pjesën veriore të Mitrovicës operon një operator serb”, ka deklaruar prokurori i cili po merret me rastin e zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

E më 23 nëntor të vitit të kaluar, përmes një aksioni nga ana e autoriteteve kosovare, janë arrestuar katër persona si të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Për tre prej tyre Gjykata ka caktuar masën për paraburgim. Sipas prokurorit Sylë Hoxha, seanca për ta do të mbahet më 23 shkurt të këtij viti.

Ndryshe, Ivanoviq nga qeveria serbe njihej si një nga zërat më kritikë të politikave të Beogradit dhe Vuçiqit.

Pas vrasjes së burrit të saj, Milena ishte larguar në Beograd nga Mitrovica dhe tani ka një punë në kabinetin e kryeministres serbe, Ana Brnabiq.

Ivanoviq u vra më 16 janarit para zyrës së tij në veri të Mitrovicës, përderisa në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një veturë e djegur e cila dyshohet të jetë përdorur nga kryesit e veprës në fjalë.