Prokurori i Shtetit është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetarë të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.
Në njoftimin nga Prokurori i Shtetit thuhet se që nga ora shtatë e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.
“Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.
“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo shkelje që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit./Insajderi.com