Prokurori i Shtetit reagon pas deklaratës së Bislimit: Daka e asnjë zyrtar i KQZ-së s’është duke u hetuar

Prokurori i Shtetit reagon pas deklaratës së Bislimit: Daka e asnjë zyrtar i KQZ-së s’është duke u hetuar

Prokurori i Shtetit ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se Prokuroria Speciale ka hetuar për disa manipulimeve të votave nga Austria, të cilat “nuk kanë mundur të bëhen pa dijeninë e Valdete Dakës”, njofton Insajderi.

Nga Specialja kanë konfirmuar se janë duke u hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa vota të ardhura me postë nga diaspora, megjithatë sipas tyre, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, dhe asnjë zyrtar i KQZ-së nuk janë pjesë e hetimit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ju njofton se është duke i hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa vota të ardhura me postë nga diaspora.

Mirëpo, ju njoftojmë se as Valdete Daka dhe as ndonjë zyrtar tjetër i KQZ-së nuk janë pjesë e këtij hetimi penal”, thuhet në njoftimin për medie./Insajderi.com