Prokurori Munishi: Nuk kam qenë kurrë këshilltar i Lumezit

Prokurori Munishi: Nuk kam qenë kurrë këshilltar i Lumezit

Raportimet se prokurori i cili pritet ta hetojë cështjen e dyshimeve mbi dosjen e jurisprudencës së kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, Kujtim Munishi, ka qenë këshilltarë i Lumezit para disa vitesh, i ka hedhur poshtë vetë Munishi.

Ai në një prononcim për Insajderin ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë këshilltarë i Lumezit.

Munishi i cili në maj të këtij viti u zgjidh udhëheqës i Departamentit për Krime të Rëna në Prishtinë me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka thënë se ai ka filluar punën si prokuror në fund të vitit 2012 në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Në Gusht të vitit 2013 kam shkuar në SHBA, në një shkollim 1 vjeçar, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Pas kthimit, kam punuar disa muaj në Gjilan”, ka thënë

KTV-ja raportoi në mbrëmje se “Munishi për disa vite ka qenë edhe këshilltarë i Aleksandër Lumezit gjatë kohës sa ky i fundit ishte kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, por sipas vet Munishit kjo nuk është e vërtetë.

“Me një vendim të Këshillit Prokurorial, me 25 maj, kam filluar punën si këshilltar në Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftën kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit deri me 30 shtator 2016”, ka thënë Munishi për Insajderin.

Lumezi ishte për disa vite deri në janar të vitit 2016, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, por Munishi thotë se nuk ka qenë këshilltar i tij.

Munishi ishte zgjedhur prokuror ne Departamentin e Krimeve te Renda ne Prishtine në tetor të vitit 2015 dhe me 30 Maj 2017 është zgjedhur Udhëheqës i Departamentit për Krime të Rënda në Prishtinë.

Ai ka treguar punën e tij.

“Gjatë kohës sa kam punuar si këshilltar në Zyrën e Koordinatorit për luftimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, kam qenë edhe raportues për Integrime Evropiane nga Prokuroria e Shtetit, punë kjo të cilën e kam bërë pasi që zyrtari për integrime Ehat Miftaraj, pat dhënë dorëheqje nga kjo pozitë”, ka thënë Munishi./Insajderi.com