Prokurori special paraqet provat kundër Shefqet Krasniqit

Prokurori special paraqet provat kundër Shefqet Krasniqit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur provat kundër ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i akuzuar për shtytje në vepra terroriste si dhe shmangie nga tatimi.

Në shqyrtimin gjyqësor të së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën hyrëse të tij, prokurori special Elez Blakaj, ka deklaruar se pas administrimit të provave, do të vërtetohet se i akuzuari Krasniqi, ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

“I pandehuri me dashje e ka shpërnda mesazhin që i ka shty të tjerët që të shkojnë në Siri dhe Irak për tu bërë pjesë e organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra dhe ka përdor gjuhë të urrejtjes”, ka deklaruar prokurori Blakaj, duke kërkuar që i akuzuari të dënohet sipas ligjit.

Prokurori ka thënë se për veprën e nxitjes së urrejtjes, kjo sipas tij, do të vërtetohet nga dëgjimi i disa videove të publikuara në “youtube”.

Gjithashtu, edhe për veprën penale të shmangies nga tatimi i kompanisë së të akuzuarit mbi 20 mijë euro, sipas tij, kjo do të vërtetohet edhe me një ekspertizë financiare.

Edhe në fjalën hyrëse të tij, i akuzuari Krasniqi nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohet.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm edhe në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sevdali Zejnullahu, ka deklaruar se klientit të tij, padrejtësisht i ngarkohet këto aktakuza.

“Uroj që ky shqyrtim gjyqësor të jetë gjykim i drejtë dhe i paanshëm, ashtu siç na obligojnë dispozitat ligjore. Këtë e them duke u bazuar në atë se konsideroj që inicimi penal dhe hetimi deri më tani ka qenë i pabazuar dhe si pasojë e kësaj ka ardhur deri te një situatë e tillë që të ngritët një akuzë mbi prova të pambështetëshme. Do ta keni rastin që të vërtetohen se kjo aktakuzë është ngritur mbi bazën e mendimeve, krahasimeve, hipotezave, duke shmangur provat dhe duke anashkaluar pasqyrën e vërtetë të tyre”, ka deklaruar avokati Zejnullahu.

Ai ka thënë se prova të tjera të drejtpërdrejta janë injoruar nga ana e prokurorisë, e që sipas tij, ato argumentojnë të kundërtën e shtytjes.

Kurse, sa i përket akuzës tjetër, atë për shmangie nga tatimi, sipas tij, janë bërë keqinterpretime duke u dhënë një version i gabuar.

Në seancën e së martës, është paraparë që t’i jepin dëshmitë e tyre dëshmitarët Suad Mustafa, Minire Heta si dhe Nasere Ademi, mirëpo këta të fundit kanë munguar, për të cilët gjykata nuk ka prova se ata janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Dëshmitari Suad Mustafa ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me vëllain Ilir Mustafa, ka deklaruar se ai asnjëherë nuk e ka biseduar me familjarët çështjen e konfliktit në Siri.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, ky dëshmitar ka thënë se vëllai i tij kishte filluar ta praktikoi fenë gjatë vitit 2002-2003.

Sipas tij, fillimisht atë e kishte praktikuar në shtëpi pastaj në xhamitëe e lagjes, varësisht ku ka qenë.

Ai është pyetur nga prokurori nëse e ka vizituar ndonjëherë xhaminë e madhe “Mehmet Fatih”, imam i së cilës ka qenë i akuzuari Krasniqi, derisa dëshmitari ka thënë se mund të ketë qenë, pasi sipas tij, kjo xhami është edhe afër shtëpisë ku jeton familja e tij.

Mustafa ka thënë se gjatë vitit 2013-2014, ka dëgjuar ligjërata të Shefqet Krasniqit, që janë dhënë në disa televizione të rrjetit kabllor.

Ai ka thënë se nuk kishte vërejtur ndonjë ndryshim te vëllai i tij pasi i kishte dëgjuar këto programe.

Prokurori e ka pyetur këtë dëshmitar se kur e kishin kuptuar se vëllai i tij ka shkuar në Siri.

“Në vitin 2014 dhe kanë qenë momente shumë të ndryshme brenda familjes për shkak të humbjes së një anëtari, mërzia, pikëllimi, baba ka reagu më së shumti. Gjyshi ka qenë edhe haxhi”, është përgjigjur dëshmitari Mustafa.

Pasi dëshmitaret Minere Heta dhe Nasere Ademi, nuk ishin prezente dhe pasi gjykata nuk ka dëshmi se të njëjtat janë ftuar në mënyrë të rregullt, seanca e së hënës nuk ka vazhduar tutje.

Pasi që dëshmitarja Minire Heta jeton në Gjermani do të bëhet përpjekje që të kontaktohet me të që të sigurohet prezenca e saj në seancën e radhës e cila është caktuar më 21 shkurt 2018, nga ora 13:00.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës në këtë rast.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.

Prokuroria pretendon se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, në të cilin rast kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”, sipas prokurorisë janë inkriminuese që Krasniqi ka kryer edhe veprën penale “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”, pasi pretendohet se ai përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame, ndër të tjera thuhej se “sllavët rusë dhe budistët e komunistët kinez, kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha kundër vëllezërve tanë myslimanë, se janë duke vrarë vëllezërit tanë myslimanë në Siri”.

Krasniqi në bazë të aktakuzës, ngarkohet edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”, pasi pretendohet se si pronar I.N.T “Pronat”, në periudhën kohore 2011 deri më 2016, më qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta duke mos i kryer obligimet që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore. Krasniqi pretendohet se nuk i ka kryer obligimet tatimore, në vlerë të përgjithshme prej 20.208.57 euro./Betimi për Drejtësi/