Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili është përmendur si person që të jetë marrë në pyetje për rastin e vrasjes së Elvis Pistës, ish-menaxher i PTK-së dhe ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike.
Në dokumentarin “Zona Express”, prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, një dyshimtar anonim ka rrëfyer për raportin jo të mirë mes Pistës dhe Ismailit.
Nuk dihet saktësisht se çfarë problemi kishte me Pistën por sipas tij është zgjedhur edhe një ndërmjetësues për pajtim mes Fisnik Ismailit dhe Elvis Pistës.
Prokurori i Prokurorisë themelore në Gjakovë, që merret me rastit Pista, Ali Uka, ndonëse në kallëzim penal tregon që Elvis Pista, ishte person kyç në PTK, ai brenda këtij kallëzimi nuk e ka përmendur fare këtë konflikt të deputetit të VV-së dhe të ndjerit.
Por ka pohuar se Ismaili është marrë në pyetje për këtë rast.
“Po të them të vërtetën janë marrë në pyetje disa dëshmitarë lidhur me rastin por nuk ka dalë diçka e dyshimtë. Deklaratat të atyre dëshmitarëve dhe veprimeve që ka kryer policia në bazë të urdhëresave. Është marrë në pyetje por raporti ende nuk na ka arrit prej Policisë”, ka thënë prokurori.
Deputeti i VV-së, kishte marrë goxha para nga PTK-ja. Ai në vitin 2006 kishte nënshkruar një kontratë prej 3 milionë euro me PTK-në.
Dëshmitari i Zona Express ka treguar një konflikt të Pistës me Fisnik Ismailit për një tender të PTK-së për fushatë marketingu.
“Para shumë vitesh ka pas problem me deputetin e VV-së, Fisnik Ismaili, e di që ka përmend një problem. Ka qenë biznesore përmes Postës, për reklama, sepse Elvisi ka pas postin mas kryeshefit të përgjithshëm dhe ka qenë person zyrtar dhe e ka pas pozitën meniher mas kryeshefit”, rrëfen dëshmitari. /Insajderi.com