Prokuroria: 28 vjeçarja i kishte kërkuar 10 mijë euro hoxhës nga Mitrovica për të mos e zbuluar lidhjen që kishin

Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka kërkuar masën e paraburgimit për 28 vjeçare S.T, e cila para disa ditësh kishte shtën me armë afër shtëpisë së hoxhës S.B në Mitrovicë.

Sipas kërkesës për paraburgim, që e ka siguruar Insajderi, 28 vjeçarja dyshohet për kanosje, shantazh dhe përdorim të armës. Prokuroria ka nisur hetimet për këto vepra penale, shkruan Insajderi.

Bazuar në këtë dokument, e dyshuara ka pasur probleme shëndetësore dhe para një kohe ka shkuar tek hoxha, kinse për t`i kaluar problemet në fjalë. Sic shkruan në këtë dokument ajo ka shkuar disa herë tek ai dhe kështu kanë hyrë në lidhje dashurie.

“I dëmtuari S.B, ka dashur të ndërpres lidhjen me të, mirëpo e pandehura ka kanosur me mesazhe përmes telefonit mobil, dhe e ka shantazhuar se duk do ta le të qetë atë dhe familjen e tij, përderisa ai nuk ia jep asaj 10 mijë euro”, shkruan në kërkesën e prokurorisë.

Në këtë dokument thuhet se hoxha që në këtë rast është palë e dëmtuar ia ka dhanë asaj shumën e kërkuar të parave por se ajo edhe më tutje ka vazhduar ta shantazhojë, shkruan Insajderi.

“I dëmtuari S.B ia ka dhënë shumën e cekur të parave, mirëpo e pandehura edhe më tutje ka vazhduar që ta shantazhojë. Kështu që me datën 05.11.2019 ka shkuar para shtëpisë së tij në fshatin Zhabar I Ulët dhe aty ka shtënë një herë me armë në ajër”, thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Sipas prokuorisë e dyshuara e ka pranuar se ka kryer veprat për të cilat dyshohet. Ndërkaq arma me të cilën ajo ka shtënë është gjetur në shtëpinë e saj dhe është konfiskuar ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur një gezhojë.

Duke u bazuar në këto zhvillime prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për 28 vjeçaren./Insajderi.com